Gjermania dhe Franca janë mes shteteve që duan të bllokojnë votimin për pranimin e Kosovës në Këshillin e Evropës më vonë gjatë muajit. Këtë e thotë Gerald Knaus, nga Iniciativa Evropiane për Stabilitet.
Përmes një postimi në rrjetin social X, Knaus tha se një grup vendesh po përgatiten të veprojnë kundër rekomandimit të Asamblesë Parlamentare të KiE-së, që tha se Kosova ka përmbushur kriteret për të qenë pjesë e organizatës.
“Aktualisht, disa qeveri të shteteve anëtare të Këshillit të Evropës, përfshirë atë të Gjermanisë dhe Francës, po përgatiten ta bllokojnë një votim në maj për pranimin e Kosovës, duke injoruar rekomandimin e Asamblesë Parlamentare të dhënë në prill”, shkroi Knaus.
Sipas tij ky hap, vjen pas fushatës së presidentit Aleksandër Vuçiç kundër anëtarësimit të Kosovës, ku përfshihet edhe thirrje që i bëri personalisht presidentit Emanuel Macron që të mos lejojë votimin. (A2 Televizion)