Bisedime për dialogun në Bruksel, BE kërkon zbatimin e marrëveshjes nga Kosova e Serbia

Nga Rosalba Bejdo
17 Dhjetor 2024, 15:17 | Aktualitet

Në Bruksel mbahen sot takimet në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, i ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian. Siç ishte njoftuar edhe më herët, takimet do të mbahen në nivel të kryenegociatorëve.

Fillimisht pritet të zhvillohen bisedime dypalëshe të përfaqësuesit të posaçëm të BE për dialog me shefin e delegacionit të Kosovës Besnik Bislimi e pastaj me atë të Serbisë, Petar Petkoviç. 

Më vonë nëse do të ketë gatishmëri nga ana e palëve do të mbahet edhe një takim i përbashkët trepalësh. Sipas burimeve nga Bashkimi Europian në takime do të shqyrtohen një varg çështjesh, përfshirë edhe implementimi i marrëveshjes në rrugën drejt normalizimit.

Burimet pretendojnë se Lajçak u ka raportuar përfaqësuesve të vendeve anëtare për gjendjen e dialogut dhe ka thënë se palët kanë treguar mungesë të qartë të gatishmërisë dhe vullnetit për të bërë ndonjë progres në zbatimin e marrëveshjes mes dy vendeve.

Mandati i tij përfundon në fund të muajit janar, ndërsa pritet që shefja e re e politikës së jashtme Kaja Kallas, të vendosë mbi mënyrën se si do të vazhdohet me dialogun.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos