Serbia njofton se seanca e Këshillit të Sigurimit e Kombeve të Bashkuara për dinarin do të mbahet të enjten dhe do të jetë e hapur. Ministri i jashtëm, Ivica Daçiç, duke folur për televizionin publik, tha se këtë e ka konfirmuar presidenca e Guajanës, edhe pse sipas tij ka pasur presion të madh që seanca të ishte e mbyllur. Ai bëri me dije se Serbia do të përfaqësohet nga presidenti Aleksandër Vuçiç.
“Ne ankohemi për shkeljen e Rezolutës 1244, për gjithçka që po ndodh me popullin serb, për terrorin të cilit i ekspozohen, duke përfshirë ngjarjet e fundit dhe përpjekjen për shfuqizimin e dinarit”, tha Daçiç.
Ministri i Jashtëm tha më tej se komuniteti ndërkombëtar po i kërkon kryeministrit të Kosovës që të formojë asociacionin. Daçiç pretendoi se Serbia po lufton në 3 fronte për çështjen e Kosovës.
Kryediplomati shpjegon se “njëri është në Këshillin e Sigurimit, fronti tjetër është në Bashkimin Europian, për të mos lejuar zbatimin e plotë të marrëveshjes për normalizim dhe përfshirjen e saj në kornizën e negociatave për anëtarësim në BE.
Ndërsa fronti i fundit thekson se është në Parlamentin Europian, për të shtyrë pas, ato që I konsideron presione për të shkuar kundër interesave të Serbisë.
“Nëse e zbatoni marrëveshjen, kjo do të thotë që ju duhet të njihni Kosovën, duhet të vendosni sanksione ndaj Rusisë”, përfundon Daçiç. (A2 Televizion)