Shtyni vendimin për dinarin, SHBA paralajmëron: Dëmtohet cilësia e partneritetit tonë

Nga Rosalba Bejdo
5 Shkurt 2024, 20:37 | Aktualitet

Shtetet e Bashkuara nuk heqin dorë nga kërkesa për shtyrje të vendimit për heqjen nga qarkullimi të dinarit serb në veriun e Kosovës. Në një sinjal të shqetësimit që rregullorja ka sjellë tek Uashingtoni, Jeffrey Hovenier zhvilloi të hënën një takim me kryeministrin Albin Kurti, pas pasi kritikoi veprimet e qeverisë së tij, në fundjavë.

Pas bisedimeve, Hovenier, përsëriti thirrjen shtyrjen e zbatimit të rregullores së Bankës Qendrore, deri në zhvillimin e një plani dhe strategjie për shmangien e ndikimit tek serbët e Kosovës.

"Duhet të sigurohemi që rregullorja, e miratuar nga Banka Qendrore të mos ndikojë padrejtësisht në elementin e shoqërisë kosovare. Siç e thashë edhe në fundjavë, ne jemi të shqetësuar që zbatimi i kësaj rregulloreje, do ndikojë në mënyrë të padrejtë te komunitetet pakicë, duke përfshirë komunitetin etnik serb. Ne shpresojmë të shohim një shtyrje në zbatimin e kësaj rregulloreje derisa të jetë bërë më shumë punë për të zhvilluar një plan dhe një strategji".

Hovenier paralajmëroi se refuzimi i Kosovës për të përmbushur një kërkesë të tillë, do të ndikojë, siç tha, në cilësinë e partneritetit me Shtetet e Bashkuara.

Shpresojmë që qeveria të jetë partnere me ne. Në lidhje me çdo veprim të qeverisë amerikane, gjithçka që mund të them është: Ne shpresojmë që qeveria të bashkëpunojë për këtë. Kjo është ajo lloj gjëje për të cilën ne kërkojmë partneritet, dhe në masën që qeveria është e gatshme të jetë partnere në adresimin e këtyre shqetësimeve, ajo do të përforcojë partneritetin tonë më të gjerë, ndërsa nëse qeveria nuk dëshiron të jetë partnere me ne për këtë çështje shumë të ndjeshme do të ketë ndikim në cilësinë e partneritetit tonë".

Hovenier shtoi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbështesin zbatimin e plotë të Kushtetutës së Kosovës dhe respektojnë rolin e BQK-së, por se mënyra e zbatimit të kësaj rregullorje nuk merr parasysh disa prej shqetësimeve të komunitetit serb. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos