Disa kërkuan të kthehen por ishte vonë, largimi i serbëve nga institucionet në Mitrovicë

Nga Erjon Dervishi
22 Qershor 2024, 14:44 | Aktualitet

Pjesëtarë serbë të policisë së Kosovës, prej muajit nëntor 2022, kanë dhënë dorëheqjen. Dorëheqjet e tyre pasuan pas vendimit të Listës Serbe për largim nga institucionet qendrore të Kosovës. Largime pati edhe nga institucione të Prokurorisë dhe Gjykatës. Këto tri institucione tregojnë për KosovaPress, se si ka vijuar puna pas dorëheqjes së tyre, si është bërë zëvendësimi dhe a ka pasur rast të ndonjë pjesëtari serb që ka bërë kërkesë për rikthim në punë. Shefi i misionit të EULEX-it në Kosovë, Giovanni Pietro Barbano pret rikthimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë në këto dy institucione. Sipas tij, një gjë e tillë është e mundur sepse dorëheqjet e tyre nuk janë pranuar nga KPK dhe KGjK.

“Ky është sërish një vakum që duhet mbushur, nuk mund të lini një territor pa shërbimin e policisë apo pa drejtësi. Pra, natyrisht, tani efekti është që prania e Policisë së Kosovës në veri, përbërja e Policisë së Kosovës në veri nuk pasqyron përbërjen e popullsisë në përqindje. Aspekti tjetër që ka të bëjë me misionin ka të bëjë me dorëheqjen e gjyqtarëve dhe prokurorëve në veri. Kthimi i tyre është i mundur. Është e mundur sepse dorëheqja e tyre nuk është pranuar nga Këshilli i Drejtësisë së Kosovës dhe nga Këshilli Prokurorial i Kosovës”.

Gjykata Themelore në Mitrovicë thotë se nuk ka pasur kërkesë për kthim në punë, ndërkohë që mohojnë se gjyqtarët serbë të dorëhequr figurojnë në listën e pagave.

“Ne si Gjykatë nuk kemi pranuar kërkesë të tillë kurse sa i përket çështjes së pagave, është publik reagimi i menjëhershëm i KGJK-së për largimin nga lista e pagave. Dorëheqja ka ndikuar në 2-3 muajt e parë, por më pas jo pasi Gjykata është ri-organizuar dhe stabilizuar”.

Deklaratë, Gjykata Themelore Prishtinë

 

Edhe zëvendësdrejtori i Policisë në veri të Kosovës, Veton Elshani thotë se asnjë policë serbë i dorëhequr nuk pranon pagë. “Procedurat e policisë e lejojnë edhe mundësinë që të ketë një muaj pushim pa pagesë, dy muaj deri në tre muaj dhe këto periudha kohore mund të shfrytëzohen nga ana jonë, sidomos në veri të vendit në atë kohë, në fillim janë shfrytëzuar sepse tash jo, që policëve t’iu jepet shansa që të mos japin dorëheqje. Arsyeja pse ne kemi bërë tolerime për personale ka qenë presioni i madh i cili është bërë ndaj tyre dhe ne e dimë. Por, nuk ka polic i cili ka dhënë dorëheqje dhe se ka vendim të lëshuar për dorëheqje që pranon pagë”, deklaron ai.

Zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, Valon Preteni deklaron se pas dorëheqjes së komunitetit serb janë ballafaquar me vështirësi në trajtimin e rasteve. “Prokuroria Themelore e Mitrovicës me dorëheqjen e prokurorëve nga komuniteti serb dhe të stafit administrativ, është ballafaquar me vështirësi në trajtimin e rasteve me të cilat kanë qenë të ngarkuar prokurorët serbë, po ashtu përfaqësimin e lëndëve në gjykatë, kryerjen e punëve administrative dhe të tjera. Mirëpo, me angazhimin maksimal të kryeprokurorit, prokurorëve dhe stafit administrativ është arritur që punët dhe obligimet e përditshme të kryhen.  

Aktualisht në Prokurorinë Themelore në Mitrovicë janë të angazhuar katër prokurorë në Departamentin për Krime të Rënda, dy prokurorë në Departamentin për të Mitur dhe shtatë prokurorë në Departamentin e Përgjithshëm të kësaj prokurorie. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos