Mes valës së pandalshme të protestave që po kërcënojnë seriozisht regjimin e tij, presidenti Aleksandër Vuçiç priti në Beograd djalin e presidentit amerikan, Donald Trump Jr. Në rrjetet sociale, udhëheqësi serb, që në mënyrë të vazhdueshme mbështet politikat e Trump-it, bëri të ditur se kishte zhvilluar një bisedë të përzemërt me djalin e madh të tij. Siç pohon ai, në fokus të takimit kishin qenë marrëdhëniet dypalëshe midis Serbisë dhe Shteteve të Bashkuara, dhe temat aktuale me rëndësi politike dhe ekonomike në botë, shkruan A2 CNN.
“Theksova rëndësinë e marrëdhënieve ekonomike dhe politike mes Serbisë dhe Shteteve të Bashkuara dhe theksova rëndësinë e bashkëpunimit strategjik mes dy vendeve dhe projekteve të përbashkëta në vitet e ardhshme. Ky takim simbolizon angazhimin për forcimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe punën së bashku për të adresuar sfidat globale,” pohon Vuçiç. Ai tha se pas bisedës, i kishte treguar mysafirit të tij pamjen e Beogradit nga tarraca e presidencës.
Trump Jr. ka qenë në Beograd edhe në shtator të vitit 2024, kur diskutoi me një grup biznesmenësh nga Serbia për investimet potenciale. Po ashtu, dhëndëri i Trump-it, Jared Kushner, ka lidhur një kontratë biznesi në Beograd për ndërtimin e një hoteli në kompleksin që dikur ka shërbyer si seli e shtabit të përgjithshëm.
Para takimit, Vuçiç u ka bërë thirrje të gjitha aktorëve politikë në Serbi që të shmangin dhunën. Mbrëmjen e së hënës, studentët bllokuan hyrjen e ndërtesës së RTS në Beograd, ku shpërthyen përleshje mes forcave policore dhe protestuesve. (A2 Televizion)