“Jemi gati t’i përgjigjemi çdo sfide”, Rutte: Kosova dhe Serbia, kompromise e fleksibilitet për dialogun

Nga Rosalba Bejdo
11 Mars 2025, 20:46 | Aktualitet

Dialogu është e vetmja mënyrë për të zgjidhur çështjet e hapura mes Kosovës dhe Serbisë. Ishte ky mesazhi që përcolli në Prishtinë sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, i cili u kërkoi të dyja palëve të tregojnë fleksibilitet dhe të bëjnë kompromiset e nevojshme.

Në konferencën e përbashkët për shtyp me presidenten Vjosa Osmani, Rutte deklaroi se normalizimi sjell më shumë stabilitet dhe siguri, dhe se diplomacia duhet zgjedhur në vend të dhunës. Siç tha Mark Rutte: "Për ta shtyrë përpara këtë dialog, të dyja palët duhet të shfaqin fleksibilitet, të bëjnë kompromise. Kjo kërkon vendime të vështira, por që duhet të shohim panoramën e gjerë. Normalizimi sjell stabilitet më të madh, më shumë mundësi investimi dhe siguri më afatgjatë për gjithë rajonin, shkruan A2 CNN.

Ky është mesazhi që unë do të vazhdoj të theksoj para të gjitha palëve në rajon. Të gjitha aktorët e sigurisë në rajon duhet të punojnë në të njëjtin drejtim. Jemi në kontakt të afërt edhe me Vuçiqin, me të cilin zhvilluam një telefonatë javën e kaluar, dhe ai do të më vizitojë në Bruksel, së shpejti, besoj këtë muaj. Prania e sotme këtu është një demonstrim i qartë i përkushtimit të palëkundur të NATO-s për siguri afatgjatë në Kosovë. NATO-ja ka mbështetur paqen, stabilitetin në Ballkanin Perëndimor. Përkushtimi ynë mbetet i qëndrueshëm edhe sot, i udhëhequr nga KFOR-i. Një rajon më i sigurt nënkupton më shumë siguri për gjithë zonën e NATO-s."

Ndërkohë, presidentja Osmani tha se mbështet deklaratën e bërë një ditë më herët në Bosnje nga Rutte, se në rajon nuk duhet të ketë vakume të sigurisë, të cilat mund të keqpërdoren nga faktorët malinj. Ajo akuzoi Serbinë dhe Rusinë për minimin e përpjekjeve për paqe dhe stabilitet, dhe tha se mungesa e përgjegjësisë për dhunën në veri ka inkurajuar Beogradin të vijojë me sulme përmes strukturave paraushtarake. Osmani, i pyetur nëse aleanca ka ndryshuar qasje sa i përket tranzicionit të FSK-së në ushtri, Rutte u shpreh:

“Mandati është që FSK-ja të ketë çfarë i duhet që të jetë efektive për të kryer rolin e saj humanitar këtu në Kosovë. Ky është mandati që NATO ka për të ndihmuar FSK-në që të bëhet më e mirë, që të jetë një forcë e fuqishme humanitare në këtë shtet kur të ketë çështje humanitare. Ky është mandati dhe për këtë po punojmë çdo ditë.”

Presidentja Osmani tha se për shkak se katër vende të NATO-s nuk e njohin Kosovën, procesi i avancimit të raporteve të aleancës ushtarake perëndimore me FSK-në është një çështje e ndërlikuar.

“Megjithatë, kjo nuk nënkupton që FSK-ja nuk e ka mandatin e plotë, ashtu siç parashihet në Kushtetutën e Kosovës dhe ligjet e miratuara si forcë e cila e mbron sovranitetin dhe integritetin territorial dhe të gjithë qytetarët e vendit tonë.”

Gjatë vizitës në Prishtinë, shefi i NATO-s është takuar edhe me kryeministrin Albin Kurti. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos