Shefi i CIA-s i kërkoi Serbisë që ta njohë pavarësinë e Kosovës. Këtë e konfirmoi zëvendëskryeministri, Aleksandër Vulin, i cili ishte takuar në Beograd me kreun e agjencisë qendrore të inteligjencës amerikane, William Burns, pavarësish se është në “listën e zezë” të Shteteve të Bashkuara.
“E dini se çfarë më tha? Ai foli me mua dhe më tha se ata e dinë që unë nuk jam agjent rus dhe kriminel, por që jam strategjikisht kundër qëndrimeve të qeverisë së tij. E saktë, absolutisht e saktë. Sepse strategjia dhe qëndrimet e qeverisë së tij janë të njohim Kosovën, të largohemi nga Republika Srpska dhe të vendosim sanksione kundër Federatës Ruse. Por kjo nuk do të ndodhë përderisa Aleksandër Vuçiç të udhëheqë Serbinë dhe unë të jem në Qeverinë e Serbisë”, tha Aleksandër Vulin, zv.kryeministër i Serbisë, shkruan A2 CNN.
Sakaq, kryeministri serb, Millosh Vuçeviç, nuk po fshihet më pas fjalëve diplomatike dhe deklaron se nuk do të heqë dorë nga lufta për Kosovën. “E kam fjalën për luftën politike. Nuk duhet anashkaluar fakti që ka pjesëtarë të KFOR-it në Kosovë dhe çdo konflikt do të thotë se kemi konflikt potencial me Aleancën”, nënvizon shefi i qeverisë serbe.
Vuçeviç vijoi me propagandën e zakonshme duke pretenduar se Qeveria e Kosovës përtej dëbimit të serbëve do të synojë krijimin e një selie të Universitetit të Prishtinën në Mitrovicën e Veriut. Ai foli dhe për themelimin e të ashtëquajturës, prokurori speciale të Serbisë për krimet e kryera në territorin e Kosovës, duke lënë të kuptohet se do të jetë një organizëm që do të përndjekë këdo që Beogradi vlerëson se bën vepra kundër serbëve, si për shembull kush djeg flamurin serb, kush qëllon dikë, kush rrëmben një serb apo kush hynë në shkolla. (A2 Televizion)