Prania e flamurit të Kosovës në kongresin e 49 të UEFA në Beograd, ka përplasur federatën e futbollit të Kosovës me atë të Serbisë. Teksa Federata Serbe tha se e kishte hequr flamurin e Kosovës nga vendi ku po mbahej Kongresit në kryeqytetin serb, Federata Kosovare nguli këmbë se flamuri ishte i pranishëm deri në përfundim të mbledhjes.
Një video e presidentit të Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, pranë flamurit të Kosovës në ngjarjen e UEFA-s mori vëmendje të madhe në rrjetet sociale mbrëmjen e së mërkurës. Në ditën e Kongresit të UEFA-s, të enjten, Federata Serbe tha se e hoqi flamurin, duke e fajësuar UEFA-n për vendosjen e tij.
Kosova është anëtare me të drejta të plota e UEFA-s që nga viti 2016, por Serbia vazhdon ta kundërshtojë praninë e saj në shtëpinë e futbollit evropian, ashtu siç e kundërshton pavarësinë e Kosovës, e shpallur më 2008. Në një komunikatë për media, Federata Serbe tha se kishin reaguar , shpejt dhe me vendosmëri dhe se në Beograd nuk ka më flamuj të të ashtuquajturës Kosovë, siç e cileson. Megjithatë, Federata Kosovare i kundërshtoi pretendimet e homologes së vet serbe, duke thënë se Kosova mori pjesë në Kongresin e UEFA-s në Beograd me simbolet shtetërore. Federata paralajmëroi se do të paraqesë “menjëherë” notë proteste në UEFA dhe institucionet tjera ndërkombëtare “lidhur me këto veprime, që janë kundër vlerave që promovon UEFA”. (A2 Televizion)