Ish-ambasadori kërkon sërish asociacionin, Hovenier flet të vërtetën e tij amerikane: Qeveri e opozitës

Nga Xhevahir Qardaku
14 Shkurt 2025, 20:48 | Aktualitet

Ish-ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, thotë të vërtetën e tij për shumë çështje. Duke folur në një intervistë për Atlantic Council me gazetaren Ilva Tare, ish diplomati trajtoi çështjet kryesore politike të vendit, përfshirë ndërtimin e qeverisë, ndërsa sinjalizoi se një aleancë mes partive opozitare si PDK, LDK dhe AAK me përfaqësues të komuniteteve pakicë është e mundshme, pavarësisht se do të ishte një koalicion shumë i brishtë, shkruan A2 CNN.

“Aktualisht kemi sinjale të ndryshme. Partitë hynë në zgjedhje duke përfaqësuar gjëra të ndryshme. Ato ishin të bashkuara në kritikat ndaj qeverisë aktuale, por nëse mund ta shndërrojnë këtë në një koalicion qeverisës të qëndrueshëm, kjo mbetet një çështje e hapur”, tha Jeffrey Hovenier, ish Ambasador i SHBA në Kosovë.

I pyetur nëse Shtetet e Bashkuara kanë një preferencë për një parti të caktuar, Hovenier theksoi se gjatë mandatit të tij, SHBA-ja ishte e gatshme të punonte me çdo “qeveri të zgjedhur në mënyrë demokratike dhe legjitime” për të avancuar pozicionin e Kosovës në skenën ndërkombëtare. Sa i përket asociacionit, ish diplomati mbajti qëndrimin e zakonshëm, duke thënë se është një angazhim që duhet përmbushur.

“Republika e Kosovës e ka marrë këtë angazhim që në vitin 2013. Ky angazhim nuk është zhdukur. Ka gjithashtu detyrime të pa përmbushura edhe nga Serbia, të cilat duhet të zbatohen. Çështja e asociacionit është përfshirë edhe në marrëveshjen e normalizimit dhe aneksin e Ohrit të vitit 2023. Nëse do i jepja një këshillë Peter Sorensen dhe Bashkimit Europian do të ishte që mënyra më e mirë për të ecur përpara është të mos bëjnë asnjë përkushtim të ri tani, sepse ajo që është arritur në vitin 2023 është një pako mbresëlënëse, pavarësisht se Kosova dhe Serbia nuk kanë bërë asgjë për ta zbatuar. Implementimi i paktit do ta ndryshojë komplet dinamikën dhe do të shkonte në të mirë të Kosovës, po ashtu edhe të Serbisë”, tha Hovenier.

Sipas ish-ambasadorit, sfida kryesore ka qenë balancimi i mbrojtjes kushtetuese të komuniteteve pakicë me sovranitetin e Kosovës. Mes tjerash iu përgjigj dhe akuzave të vjetra. Ai mohoi që SHBA-ja të ketë vënë ndonjëherë në dyshim sovranitetin e Kosovës, por theksoi se sovraniteti nuk nënkupton shmangien e pasojave për vendimet politike. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos