“Kadri Veseli shpëtoi ushtarët e plagosur”, koloneli: I transportoi për në Shqipëri e Maqedoni të Veriut

Nga A2 CNN
15 Shtator 2026, 19:14 | Aktualitet

Koloneli i UÇK-së, Hysen Gecaj, tregoi se si Kadri Veseli, së bashku me luftëtarë të tjerë, kanë shpëtuar rreth 500 luftëtarë të plagosur, duke i transportuar ata në zona të sigurta, larg fushëbetejës.

“Dua ta përmend një fakt ku është treguar humanizmi. Kadri Veseli, të cilin kam pasur rast ta takoj në fazën më të vështirë të luftës, në përfundim të saj, kur kishim një numër shumë të madh të ushtarëve të plagosur në Drenicë. Ajo zonë në atë kohë ishte në fazën e luftimeve tepër të ashpra dhe ishim në vazhdimin e operacioneve në terren. Për fat, ato ditë prezent në atë zonë ishte edhe Kadri Veseli me Berat Shalën, me disa bashkëluftëtarë të tjerë, dhe ai mori përsipër tërheqjen dhe nxjerrjen jashtë rrethit të këtyre bashkëluftëtarëve tonë të plagosur dhe t'i dërgonte në zonën në afërsi të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, ku kishte mundësi për mjekim dhe ku kishte mundësi për t'i transportuar më tutje, për Shqipëri ose Maqedoni. Këtë operacion tepër të rëndë dhe tepër kompleks në ato rrethana, e mori përsipër vetë zoti Kadri Veseli”, tha Gecaj në një lidhje direkte me “Rretheqark” në A2CNN.

“Pastaj u mor vesh se e kishte realizuar me sukses, sepse të gjithë të plagosurit që kishin qenë në fushëbetejë ishin strehuar në vende të sigurta dhe ishin në duart e sigurta të mjekëve, të cilët dhanë një kontribut të jashtëzakonshëm”, shtoi Hysen Gecaj. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos