Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri Kaja Kallas, ka nisur një vizitë në rajon duke shkuar së pari në Beograd dhe ditën e sotme pritet të arrijë në Prishtinë.
BE e ka bërë publike agjendën. Në të thuhet se kryediplomatja e BE-së do t’i takojë krerët e partive politike, pa përmendur ndonjë zyrtar të institucioneve.
“Në Kosovë, Përfaqësuesja e Lartë Kallas do të takohet me përfaqësues të partive politike dhe organizatave të shoqërisë civile. Ajo do të mbajë një konferencë për shtyp në Shtëpinë e Evropës më 22 maj në orën 15:45, transmetuar drejtpërdrejt në EBS. Përfaqësuesja e Lartë Kallas do të vizitojë Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX). Ajo do të takohet edhe me komandantin e KFOR-it Enriko Barduani”, thuhet në njoftimin e Brukselit.
Siç mëson A2CNN, takimet e Kallas me krerë të partive do të mbahen në zyrën e BE-së në Prishtinë, ku janë të ftuar në nivel të liderëve të partive dhe dy zyrtarëve të tjerë.
Javën që shkoi, Presidentja Osmani e takoi Kallas në Tiranë në kuadër të samitit të Komunitetit Politik Evropian duke njoftuar se kur zyrtarja e BE-së të vijë në Prishtinë nuk do ta takojë, pasi do të jetë për vizitë zyrtare në Zvicër. (A2 Televizion)