
Pas përfundimit të afatit për parashtrimin e ankesave, në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa janë regjistruar shtatë ankesa që lidhen me rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve parlamentare të 28 dhjetorit.
Dy ankesa janë dorëzuar nga kandidati për deputet i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu. Njëra lidhet me mënyrën e ndarjes së mandateve në Kuvend, ndërsa ankesa tjetër adreson pretendime për parregullsi gjatë numërimit të votave me postë.
Ankesë është paraqitur edhe nga subjekti politik Lista Serbe dhe ka të bëjë me kundërshtimin e vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të mos miratuar rezultatin e saj, shkruan A2 CNN.
Ndërkohë, Nova Demokratska Stranka ka paraqitur dy ankesa të veçanta, të cilat kanë në fokus dyshime për parregullsi me fletëvotimet. Pretendime për parregullsi në procesin e votimit kanë ngritur edhe Koalicioni PAI–PDAK–LPB, si dhe Partia Rome e Bashkuar e Kosovës.
Të gjitha rastet janë në procedurë shqyrtimi dhe ende nuk ka vendime përfundimtare. Sipas afatit ligjor, për secilën nga këto ankesa parashihet një periudhë prej 96 orësh për marrjen e vendimit. (A2 Televizion)