Agron Duka: Jam kundër primareve, opozita të bashkohet për një kandidat në Durrës

Nga A2 CNN
9 Nëntor 2026, 22:56 | Politikë

Kryetari i Partisë Agrare Ambientaliste, Agron Duka, ka folur për mundësinë e kandidimit në zgjedhjet e ardhshme lokale në Durrës, duke theksuar se opozita duhet të dalë me një kandidaturë të përbashkët që bashkon të gjitha grupimet.

Duka u shpreh kundër zhvillimit të primareve, duke argumentuar se në kushtet aktuale opozita duhet të fokusohet te gjetja e një kandidati që ka mbështetje të gjerë dhe mundësi reale për të fituar.

Ai theksoi se nuk ka shpallur kandidaturën e tij për Bashkinë e Durrësit, por nuk e përjashton këtë mundësi nëse konsiderohet si figura që mund të bashkojë forcat opozitare.

“Jam kundër primareve. Të mbështesim kandidatin që përbashkon forcat opozitare. Të bashkohemi dhe të mos nxjerrim emra kot, sepse nëse dal edhe unë, marr më shumë vota. Nëse mendojnë se jam unë, Agron Duka, ai që përbashkon, atëherë futem në garë”, u shpreh ai.

Duka shtoi se është i gatshëm të mbështesë edhe një kandidat tjetër, për sa kohë ai arrin të bashkojë grupimet e opozitës në Durrës dhe të krijojë mundësinë për rotacion politik në këtë bashki.

“Unë nuk kam thënë asnjëherë që do të jem kandidat për Durrësin. Nuk kam ndonjë dëshirë të veçantë për të marrë drejtimin e bashkisë, por nga gara nuk tërhiqem. Nëse gjejmë një kandidaturë që përbashkon të gjitha forcat, jam i gatshëm ta mbështes me gjithë dëshirë”, deklaroi Duka. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos