Kërcënohet me jetë presidentja e Kosovës Vjosa Osmani

Nga A2 CNN
19 Maj 2025, 19:35 | Aktualitet

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është kërcënuar me jetë përmes një emaili të dërguar në adresën zyrtare të Presidencës.

Lajmin e ka konfirmuar për A2 CNN këshilltari për media i Presidencës, Bekim Kupina, i cili bëri të ditur se kërcënimi është marrë me seriozitet dhe është përcjellë menjëherë tek autoritetet përkatëse.

“Kërcënimi është dërguar në emailin zyrtar të Presidencës”, deklaroi Kupina. Institucionet e sigurisë kanë nisur hetimet për të identifikuar autorin apo autorët e këtij kërcënimi. Deri tani nuk ka informacione shtesë mbi burimin e emailit kërcënues.

"Kërcënimi i kësaj jave është vazhdimësi e kërcënimeve të vazhdueshme me jetë ndaj Presidentes Osmani. Çfarë i bashkon të gjitha? Mosveprimi i institucioneve të drejtësisë.

Përkundër dhjetëra kërcënimeve — shumica prej tyre kërcënime me jetë — asnjë veprim nuk është ndërmarrë ndaj kërcënuesve për vite me radhë. Kjo, edhe pse në shumicën e rasteve, kërcënimet bëhen me emër, mbiemër dhe nga profile të identifikueshme. Disa kërcënime janë bërë madje edhe në emisione televizive, por edhe atëherë kanë munguar veprimet për t’i përballur kërcënuesit me përgjegjësi.

Rasti i kërcënimeve të njëpasnjëshme me jetë ndaj Presidentes dhe familjes së saj është i vetmi në historikun e institucioneve, siç na është thënë nga institucionet e sigurisë, ku asnjë nga kërcënuesit nuk është përballur me drejtësinë.

Kur kërcënimet e rënda nuk trajtohen me seriozitetin që meritojnë, ato jo vetëm që nuk ndalen — përkundrazi, inkurajohen. Kjo klimë e rrezikshme nxit të tjerë të ndjekin të njëjtin model: nxitje dhune, thirrje për eliminim fizik dhe përçmim të plotë ndaj rendit kushtetues", tha për A2 CNN Bekim Kupina, këshilltar për Media.

Kërcënohet me jetë presidentja e Kosovës Vjosa Osmani (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos