Pas konfirmimit të mandatit të saj si deputete nga zgjedhjet e 11 majit me mbi 20 mijë vota, Jorida Tabaku ka reaguar me një mesazh mirënjohjeje në rrjetet sociale, ku ka vlerësuar veçanërisht kolegun e saj, Ilir Alimehmeti, i cili nuk arriti të fitojë mandatin pavarësisht se siguroi plot 18,125 vota në qarkun e Tiranës.
“Sprintin e fundit të kësaj gare e ndamë bashkë”, shkruan Tabaku, duke theksuar se fushata me Alimehmetin u karakterizua nga qytetaria dhe korrektësi, në një sistem që, sipas saj, prodhoi “një garë të brendshme shpeshherë të padrejtë”.
Deputetja e rizgjedhur shprehu mirënjohje për çdo demokrat që kontribuoi në këtë fushatë dhe nuk harroi të përmendë sakrificat e familjes së saj dhe mbështetësve të saj më të afërt. Ajo pranoi se pavarësisht suksesit personal, opozita nuk arriti të sjellë rotacionin politik, për shkak të një sistemi zgjedhor që, sipas saj, nuk garanton një garë të ndershme, shkruan A2 CNN.
Mesazhi i plotë
“Falenderime pa fund për këdo që më votoi, që më mbështeti dhe që ishte me mua në këtë sfidë të radhës, e cila për të thënë të drejtën nuk ishte aspak e lehtë.
Mirënjohje çdo demokrati që punoi, trokiti në çdo derë dhe më shoqëroi në çdo ecje e në takime që nisnin në agim dhe përfundonin në mbrëmje, duke bërë të mundur që sot të kem këtë mbështetje!
U jam pafund mirënjohëse të gjithë demokratëve; anëtarëve, aktivistëve, komisionerëve, numëruesve, drejtuesve lokalë. Për lodhjen, sakrificën dhe forcën e besimit! Ju jeni Partia Demokratike!
Së fundmi, falenderime nga zemra për familjen time; Saimirin dhe fëmijët, mamin, babin, Fisnikun dhe Lornën, si dhe familjen e madhe që ishte me mua deri në votën e fundit.
Fatkeqësisht nuk arritëm dot të sjellim rotacionin politik aq të nevojshëm për Shqipërinë, pasi ky sistem prodhoi edhe një garë të brendshme shpeshherë të padrejtë. Por përgëzime për të gjithë, veçanërisht për kolegun Alimehmeti, me të cilin ndamë sprintin e fundit të kësaj gare, për fushatën dhe mbi të gjitha, për qytetarinë”, mbyllet postimi i Tabakut. (A2 Televizion)