Endrit Shabani edhe njëherë ka kritikuar sistemin zgjedhor që kanë vendosur dy partitë e mëdha në vend, i cili sipas tij nuk lejon rotacionin.
I ftuar në Debat me Alba Alishanin, Shabani iu rikthye edhe njëherë qëndrimit se të rinjtë që morën pjesë në këto zgjedhje duhet të shkonin bashkë si një koalicion, dhe do të kishin një numër më të madh deputetësh.
“Entuziazëm kishim pasi feedback ishte pozitiv. 70 mijë shqiptarë dolën dhe votuan për alternativën tonë. Në Fier dhe Vlorë humbëm mandatet për 100 vota. PS me aq vota ka 9 mandate në Vlorë. Ne kemi vetëm 1. Është një betejë që kemi bërë kundër sistemit. Deformon përfaqësimin në demokraci. Është një sistem i kopsitur për të penguar rotacionin.
Shpresojmë që në zgjedhjet e ardhshme të jemi një grup më i madh. Më vjen keq që nuk na u bashkuan të rinjtë e tjerë. Po të ishim bashkë, të rinjtë kanë marrë 10% të votave. Ne sot do kishim 10-12 mandate. Arlind Qori do ishte aty. Shehu do kishte më shumë mandate. Ne luftuam në çdo cep. Është përgjegjësi i çdo aktori që të përpiqet t’i përfaqësojë të gjithë”, tha Shabani. (A2 Televizion)