“Kosova është Serbi”! Qindra serbë në Kosovë, festojnë Vidovdanin

Nga Tomorr Avdia
28 Qershor 2024, 20:39 | Aktualitet

Qindra serbë, nga Kosova, Serbia dhe vendet e rajonit u mblodhën në Gazimestan, një monument historik rreth 10 kilometra larg kryeqytetit të Kosovës, Prishtinë, për të shënuar festën e Vidovdanit më 28 qershor.

Kisha Ortodokse Serbe ka përkujtuar atje, vuajtjet dhe betejën e serbëve kundër ushtrisë turke në Kosovë në vitin 1389. Policia e Kosovës është kujdesur për sigurinë e kësaj feste, ndërsa të pranishëm ishin edhe pjesëtarë të KFOR-it italian.

Sipas policisë, nuk pati incidente që ndikuan në mbarëvajtjen e festimeve, përveç shoqërimit të një personi në një stacion policor, megjithatë gjatë aktivitetit nuk munguan thirrje provokuese, të tilla si “Kosova është zemra e Serbisë”.

Në përkujtimin e Vidovdanit, numri i vizitorëve ishte dukshëm më i ulët se në vitet e kaluara. Policia e Kosovës këtë vit nuk lejoi sjelljen e flamujve apo të ndonjë simboli tjetër, përveç atyre kishtare.

Vitet e kaluara ka pasur arrestime për nxitje të urrejtjes fetare, ndërsa në 2023 në Gazimestan, Vidovdani nuk u shënua për shkak të përkeqësimit të situatës së sigurisë.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos