16 oficerë të rinj i shtohen FSK, Maqedonci: Po bëhemi me ushtri profesionale

Nga Rosalba Bejdo
27 Qershor 2024, 20:27 | Aktualitet

16 oficerë të rinj u janë shtuar Forcës së Sigurisë së Kosovës. Kadetët e rinj u diplomuan këtë të enjte në kazermën “Adem Jashari”, në prani të ministrit të Mbrojtjes Ejup Maqedonci. Ky i fundit tha se ushtria po ecën me hapa të shpejtë drejt zhvillimit me kapacitete të plota si ushtri profesionale.

Ai përmendi investimet mbi 200 milionë euro dhe numrin e ushtarëve dhe oficerëve të rekrutuar.

“Qershorin e ngjarjeve të rëndësishme historike, luftës për liri e pavarësi po e përmbyllim këtë vit duke i shtuar radhëve të FSK-së edhe dhjetë oficerë të rinj. Përvjetori i çlirimit këtë vit përtej simbolikës si vit jubilar dallon nga vitet e tjera për shkak të stadit në të cilin gjendet sot ushtria e Kosovës. Me rritjen në 2 për qind të GDP-së të Bruto Produktit vendor të ndarë për ushtrinë me mbi 200 milionë investime në këto 3 vitet e fundit dhe mbi 1800 ushtarë e oficerë të rinj të rekrutuar. Ushtria e Kosovës me hapa të shpejtë po ecën drejt zhvillimit me kapacitete të plota si ushtri profesionale dhe multi-etnike. Ëndrrën e të gjithë atyre që sakrifikuan për lirinë sot po e jetësoni ju kadetë. Me diplomimin tuaj si oficerë po ndërtoni shtylla të rëndësishme të ushtrisë, andaj nuk kam se si ta fshehë krenarinë që ndjej për ju”.

Sakaq, duke vlerësuar profesionalizmin e pjesëtarëve të FSK-së, Maqedonci tha se bashkëpunimi me shtetet aleate është si rezultat i këtyre vlerave. Ministri falënderoi gjithashtu familjarët për mbështetjen ndaj kadetëve, duke thënë se ai nuk ka asgjë që e bën më krenar se sa të shoh rritjen dhe zhvillimin e Ushtrisë së Republikës së Kosovës. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos