Kushtetuesja në Kosovë: Zgjedhja e Rashiqit si nënkryetar i Kuvendit ishte antikushtetuese

Nga A2 CNN
28 Janar 2026, 15:50 | Aktualitet

Kushtetuesja në Kosovë: Zgjedhja e Rashiqit si nënkryetar i

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka vlerësuar se zgjedhja e Nenad Rashiqit në pozitën e nënkryetarit të Kuvendit nga komuniteti serb, në përbërjen e kaluar parlamentare, është bërë në kundërshtim me Kushtetutën dhe Rregulloren e Punës së Kuvendit.

Sipas njoftimit të publikuar më 28 janar, Gjykata ka sqaruar se vendimi i saj, në rrethanat konkrete, nuk prodhon pasoja prapavepruese.

Rashiq ishte zgjedhur në tetor të vitit të kaluar pas dështimit të kandidatëve të Listës Serbe, që me nëntë deputetë nuk arritën të siguronin numrin e nevojshëm të votave, duke çuar procesin në procedurën e shortit.

Kushtetuesja ka theksuar se e drejta për të propozuar nënkryetarin nga radhët e komunitetit serb i takon shumicës së deputetëve të këtij komuniteti dhe jo shumicës parlamentare në tërësi. Sipas aktgjykimit, në këtë rast nuk ka pasur as propozim nga shumica e deputetëve serbë dhe as heqje dorë nga kjo e drejtë.

Gjykata ka konstatuar se, në këto rrethana, mekanizmat zhbllokues nuk janë aplikuar sipas frymës dhe qëllimit për të cilin janë paraparë, pasi ato duhet të shërbejnë vetëm në situata përjashtimore.

Mëtutje, është vlerësuar se procedurat si votimi deri në tri herë i një kandidati dhe hedhja e shortit mund të përdoren vetëm për t’u mundësuar konstituimin e Kuvendit brenda afatit kushtetues prej 30 ditësh.

Sipas Kushtetueses, përdorimi i këtyre mekanizmave në një formë që lejon shumicën e deputetëve të Kuvendit të përzgjedh përfaqësuesin e një komuniteti jo-shumicë, pa propozimin e deputetëve të atij komuniteti, përbën shmangie të garancive procedurale të përfshira në Rregulloren e Kuvendit. Gjykata ka nënvizuar se kjo e drejtë u takon ekskluzivisht shumicës së deputetëve të komunitetit përkatës. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos