Deputeti i Partisë Demokratike, Luan Baçi, dhe këshilltari i Partisë Socialiste, Alfred Kika Muharemi, u përfshinë në një debat mbi qeverisjen aktuale.
Debati i zhvilluar në studion e “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2CNN:
Baçi: Më bën përshtypje se mundohesh të bësh zhurmuesin.
Alfred Kika Muharemi: Nuk bëj fare zhurmuesin, por të themi disa realitete.
Baçi: E bën zhurmuesin pa ditur fare se çfarë thua. Një pyetje kam unë: qytetarët që kanë dalë aty, demokratë janë apo janë qytetarë të paangazhuar politikisht? Besoj se nuk e mohon dot këtë që atje janë qytetarë të paangazhuar politikisht. Janë qytetarë që s'kanë votuar ndonjëherë djathtas apo majtas. Ka edhe nga ata që kanë votuar djathtas. Ka edhe të majtë, socialistët tuaj që kanë dalë aty. Përse kanë dalë? Kanë dalë nga qejfi apo kanë dalë nga mungesa e shërbimeve shëndetësore? Kanë dalë se shkojnë atje të sëmurët me kancer dhe nuk gjejnë ilaçet dhe po vdesin rrugëve. Kanë dalë aty në shesh se nuk nxjerrin dot 15-ditëshin, se papunësia është në maksimum. Kanë dalë aty se, nuk besoj se e mohoni, që pothuaj 1 milion shqiptarë në këto vite kanë ikur jashtë kufijve. Nuk ikën nga qejfi njeri. Nuk kanë ikur për turizëm. Nuk kanë ikur për atë që thoni ju, për një jetë më të mirë, se jetën më të mirë e donin këtu ta kishin, që fëmija të kishte babain këtu, mos të shkonte babai të punonte gjashtë muaj andej, të vijë dy muaj e të iki një vit prapë andej. Pensionistëve nuk u del pensioni, po nuk u dërguan të ardhura nga jashtë, ata ngelen pa bukë. Pra, të flasësh për arritje të kësaj qeverie, sinqerisht më vjen keq se ti je djalë i ri, mos u moleps më shumë se s'ka ç të duhet, se s'ke dhe ndonjë përgjegjësi, s'ke pas ndonjë përgjegjësi te kjo qeveri. Ti je një anëtar i Këshillit Bashkiak. Bravo të qoftë që ke vajtur aty, përfaqëson qytetin e Tiranës. Por, mos merr përsipër të lash fytyrën e gjithë këtyre hajdutëve që nuk kanë lënë gjë pa bërë në këtë vend. Ta lëmë propagandën.
Alfred Kika Muharemi: Unë nuk e bëj rolin e zhurmuesit. Arsyeja pse unë e them progresin është sepse unë di ta bëj dallimin edhe në kohë, edhe në efekt, se çfarë ka arritur të bëjë kjo formë e qeverisjes, pavarësisht se nuk i ka arritur të gjitha, pavarësisht se ka pasur korrupsion. Sot kemi një sistem që po e lufton këtë korrupsion. Por, që të flasim sot për qeverisjen e Partisë Demokratike, ku kishte vetëm një pension tavan dhe nuk kishte shanse ta kaloje këtë pension prej 24 000 lekësh, sot është e mundur të marrësh pension edhe 70 000 lekë. (A2 Televizion)