Lirohet Haxhi Shala, kthehet në Kosovë

Nga A2 CNN
10 Shkurt 2026, 14:52 | Aktualitet

Lirohet Haxhi Shala, kthehet në Kosovë

Haxhi Shala është liruar sot dhe është kthyer në Kosovë, pas vendimit të Kryetares së Dhomave të Specializuara të Kosovës, gjykatëses Ekaterina Trendafilova, për modifikimin e dënimit të tij.

Vendimi është marrë më 2 shkurt 2026 dhe parasheh lirimin me kusht të Shalës, me zbatimin e kushteve të përcaktuara nga gjykata për pjesën e mbetur të dënimit prej tre vitesh.

Në arsyetimin e vendimit, kryetarja Trendafilova ka vlerësuar se Shala ka shfaqur shenja rehabilitimi, përfshirë një letër të dërguar me iniciativë personale, në të cilën ai shpreh keqardhje për dëmin e mundshëm të shkaktuar nga veprimet e tij. Sipas gjykatës, letra është shkruar pa ndihmë ligjore dhe pas një periudhe reflektimi, çka është konsideruar si shenjë e distancimit të sinqertë nga veprat penale për të cilat ai është shpallur fajtor, shkruan A2.

Gjykata ka marrë parasysh gjithashtu marrëdhëniet familjare pozitive, mjedisin e qëndrueshëm të jetesës dhe rrjetin e gjerë shoqëror të Shalës, të cilat, sipas vlerësimit, ofrojnë perspektivë të arsyeshme rehabilitimi, ndonëse veprat penale janë cilësuar si të rënda.

Rasti i Shalës lidhet me aktakuzën e ngritur më 4 tetor 2023 ndaj tij, Sabit Januzit dhe Ismet Bahtijarit, me të cilën akuzohen se kanë tentuar të bindnin një dëshmitar të mos japë dëshmi. Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar më 12 janar 2024 aktakuzën e përbashkët për këte çështje gjyqësore.

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, Haxhi Shala ishte dënuar me tre vjet burgim, ndërsa Sabit Januzi dhe Ismet Bahtijari me nga dy vjet burgim secili, duke u llogaritur edhe koha e kaluar në paraburgim.

Ndërkohë, nga Gjykata Speciale janë liruar me kusht edhe Bashkim Smakaj dhe Fadil Fazliu, të cilët po mbaheshin në Hagë nën akuzat për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë. Lirimi i tyre është bërë pas dorëzanisë së ofruar, me zbatimin e kushteve të përcaktuara nga gjykata. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos