Masakrimi i shqiptarëve? “Aksione antiterrori”, Vuçiç: Bravo Rusisë që përdor Kosovën për luftën në Ukrainë

Nga Xhevahir Qardaku
25 Mars 2025, 20:53 | Aktualitet

Aleksandër Vuçiç vijon që të mos pranojë krimet e kryera nga Serbia ndaj Kosovës. Presidenti serb, duke folur për një media zvicerane, konfirmon një ngjarje me vrasjen e mbi 50 civilëve shqiptarë, por atë e përmend si një incident gjatë një aksioni antiterrori.

Nuk është e qartë nëse i referohet Masakrës së Reçakut, por Vuçiç shton se u përdor, sipas tij, si justifikim nga perëndimi për të nisur bombardimet e NATO-s mbi ish jugosllavi. Presidenti serb vazhdon që të besojë një realitet alternativ duke mos marrë në konsideratë anën humanitare, teksa sulmon fuqitë e mëdha se me sulmet shkelën ligjin ndërkombëtar.

“Kur thonë se parandaluan një katastrofë humanitare në Kosovë, kjo shërben si justifikim që të tjerët t’i quajnë veprimet e tyre ‘ndërhyrje humanitare’”, pretendoi ai, teksa më pas sulmoi dhe Rusinë por duke e fshehur me një lloj vlerësimi.

“Kjo është një politikë e zgjuar e udhëheqjes ruse. Do të bëja të njëjtën gjë po të isha në vendin e tyre. Nuk është e mirë për ne, por është mirë për ta. Çfarë mund tu thoni? Se bombardimi i Serbisë ishte i ligjshëm? por nuk ishte dhe ata e dinë këtë. Perëndimi dëshiron që të shmangë çdo bisedë për këtë... Kur thonë se parandaluan një katastrofe humanitare në Kosovë, i njëjti justifikim u përdor edhe në Donetsk dhe Lugansk. Kështu që unë pyes miqtë e mi në perëndim se çfarë bëtë në 1999? A do ta përkrahni më shumë të drejtën ndërkombëtare apo jo?”, tha Aleksandër Vuçiç.

Vuçiç vazhdoi më tej me propagandën e tij duke pretenduar se propozimet në Rambuje ishin të papranueshme dhe se ishin bërë qëllimisht në atë mënyrë që Serbia t’i refuzonte. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos