Përkujtohet Epopeja e Dukagjinit, Haradinaj: Të ruhet aleanca me SHBA, shqiptarët janë trima

Nga A2 CNN
24 Mars 2025, 18:43 | Aktualitet

“Kush e donë këtë tokë, vend dhe fëmijë duhet ta ruaj si sytë e ballit aleancën me Amerikën dhe NATO-n. Duhet ta ruaj si ditën e 24 marsit 1999”.
Ky ishte mesazhi i Ramush Haradinajt, kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, gjatë përkujtimit të Epopesë së Dukagjinit dhe sakrificës së madhe të familjes së tij për liri. Në 27 vjetorin e kësaj dite historike, ai i quajti tradhtar ata që dëmtojnë raportet me Uashingtonin.

“Kam parë njerëz t’u luftu dhe duke rënë dëshmorë. Unë e di sa trima jemi ne shqiptarët, kam qëndru me trimat, por është mallkim nëse ne vet lavdërohem e harrojmë ndihmën e Amerikës, atyre që na kanë dhënë kur jeta jonë ka qenë rrezik. Është mallkim me ia rreh krahët njëri-tjetrit me thënë se s’kemi nevojë për askënd se ne vet e ruajmë vetën dhe lirinë, kufirin dhe mbrojmë veriun. Ne kemi bërë krejt deri në fishekun e fundit, por për me mbrojt vendin ne e kemi jetike aleancën me Amerikën. Kush mburret dhe vetë lavdërohet dhe kush kujton se është shumë i zoti ta dini se nuk është me këtë vend dhe këtë popull”, shprehet Haradinaj.

Haradinaj i cili ka qenë komandant i zonës operative të Dukagjinit tregoi detaje të luftimeve të 27 viteve më parë në Gllogjan. 

“Lufta e tyre(familjes Jashari) sakrifica e tyre deri në flijim të të gjithëve atyre që ishin na largoi dilemat dhe nuk na la zgjidhje tjetër që të luftojmë edhe ne deri në fishekun e fundit dhe njeriun e fundit. S’kishim rrugë tjetër, duke ditur se do të përballemi së shpejti po me atë forcë që sulmoi Jasharajt ne kishim një strategji, ku ndryshuam strategjinë e luftës. Ne e bëmë një plan taktik të kundërpërgjigjes por jo statike. Ishim të sulmuar në shtëpinë tonë, Dauti ishte i pari që u përballë me ata. Menjëherë me hapjen e luftës frontale, forcat serbe në vijën e parë të zjarrit sjelljen mjete të motorizuara, topa 20 milimetra dhe po ashtu mbështetje nga ajri”, shtoi ai.

Ndërkaq, kryetari i komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, tha se Prekazi dhe Gllogjani kanë nisur historinë për lirinë e Kosovës. Më 24 mars 1998, në Gllogjan është zhvilluar beteja frontale nga Forcat e UÇK-së dhe forcave serbe, të cilat e kishin rrethuar Gllogjanin, ndërsa synim kishin shtëpinë e familjes Haradinaj, ku hasën në rezistencë të fuqishme. Në këtë ditë ranë dëshmorë Him Haradinaj, Gazmend e Agron Mehmetaj. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos