Serbia ka vijuar propagandën për t’u shtirur si viktimë edhe në 26 vjetorin e bombardimeve të NATO-s. Në Prishtinë sjellja e Beogradit dëshmon se nuk ka gatishmëri për paqe dhe stabilitet në Ballkanin Perëndimor.
Beogradi zyrtar përmes disa aktiviteteve ka kujtuar 26-vjetorin e bombardimeve të NATO-s sipas mënyrës së tyre duke e paraqitur veten si viktimë dhe duke shtrembëruar të vërtetën që ishte më 1999.
Forcat e Aleancës bombarduan caqet e ish-Jugosllavisë në një fushatë që zgjati 78 ditë deri në çlirimin përfundimtar të Kosovës dhe tërheqjen e trupave serbe.
Sjellja e Serbisë edhe pas më shumë se dy dekadash e gjysmë synon të fsheh të vërtetën për të cilin opinioni ndërkombëtar e kishte shumë të qartë atë kohë.
“Përpjekjen e vazhdueshme që nëpërmjet narrativave mashtruese ta ndryshojë të vërtetën, ta fsheh përgjegjësinë e saj për krimet dhe gjenocidin në Kosovë dhe të nxisë tek populli serb ndjenjat armiqësore dhe të urrejtjes ndaj NATO-s dhe Perëndimit duke manifestuar me këtë politikën e saj të sinkronizuar me qëllimet gjeopolitike të Rusisë”, shprehet Arben Fetoshi.
Ministria e Jashtme e Kosovës deklaroi se veprimet e Serbisë dëshmojnë mohimin e vazhdueshëm nga Beogradi dhe fshehjen e së vërtetës mbi krimet e luftës.
“Edhe sot, qeveria e Serbisë dhe udhëheqësit e saj përkujtojnë të ashtuquajturat ‘krime të NATO-s kundër Serbisë’, ndërsa vazhdojnë të heshtin mbi 10,000 shqiptarë të Kosovës të vrarë dhe mbi një milion të dëbuar gjatë luftës së viteve 1998-1999. Ky shtrembërim i historisë dhe mungesa e përgjegjësisë theksojnë problemin e thellë të politikës së pa reformuar të Serbisë, e cila vazhdon të kërcënojë paqen dhe stabilitetin në rajon”, shkruhet në reagimin e ministrisë.
E vërteta shpesh nuk mjafton në këto kohë për shkak të propagandës agresive serbe që kërkon të fitojë terren duke shtyrë përpara idenë e viktimës në raport me Kosovën.
“Përvjetori është veç simbolika e një strategjie të sofistikuar propagandistike të Serbisë sidomos në raport me Kosovën e cila mëton që qëndrimet dhe veprimet e shtetit të Kosovës për sundim të ligjit dhe sovranitetin t’i prezantojë si politikë terroriste kundër qytetarëve serbë ose si pogrom i popullit serb siç i thonë ata”, shton Fetoshi.
Që Serbia nuk ka ndryshuar aspak dhe ka të njëjta qëllime e shpërfaqi ditëve të fundit edhe një marrëveshjeje e përbashkët mes Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë që tha se aleanca ishte për t’i sulmuar ata.
“Qasja tinëzare e Serbisë vërehet edhe në rastin e fundit me marrëveshjen e mbrojtjes të dakorduar mes Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë të cilën Aleksandër Vuçiç e konsideron kërcënim dhe shkelje të marrëveshjes të vitit 1996 duke harruar që është Serbia ajo që në ndërkohë është armatosur në vitet e fundit sidomos në sistemet më moderne të armatimit”, u shpreh ai.
Përkundër bombardimeve, forcat serbe kryen masakra dhe krime të shumta kundër civilëve shqiptarë të Kosovës - burra, gra dhe fëmijë. Familje të tëra u shfarosën, fshatra të tëra u dogjën dhe më shumë se 10,000 shqiptarë të pafajshëm të Kosovës u vranë. Forcat serbe dëbuan mbi një milion njerëz, duke i detyruar ata të gjejnë strehim nëpër kampe, në Shqipëri dhe vende të tjera të rajonit. (A2 Televizion)