Mbyllet seanca në Hagë, ish-krerët e UÇK: Historia nuk mund të rishkruhet

Nga Ideal Gola
18 Shkurt 2026, 19:06 | Aktualitet

Me fjalët e katër ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare dhe pas gati 3 vitesh nga nisja e tij, Gjykata Speciale mbylli një nga rastet më të rëndësishme të saj i njohur si “Thaçi dhe të tjerët”.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi mes emocioneve dhe pasi uruan për 18-vjetorin e pavarësisë, u shprehën të pafajshëm për të dhjetë pikat e akuzës që ju ngarkohen atyre.

Ish-presidenti Thaçi duke folur për rrugëtimin e tij në luftë, tha se akuzat e Prokurorisë janë të rënda dhe se asnjëherë nuk ka pasur qëllim për të ushtruar kontroll, shkruan A2.

Thaçi shtoi se Gjykata Speciale duhej ta largonte “renë e zezë” mbi Kosovën, por sipas tij, Zyra e Prokurorit po përpiqet t’ia zërë diellin me stuhi: “Për gati tri vite në këtë sallë gjyqi ju keni dëgjuar akuzat e prokurorisë dhe argumentet e mbrojtjes. Ju keni parë faktet, ju keni dëgjuar të vërtetën. Është vetëm një e vërtetë se akuzat nuk qëndrojnë. Unë jam plotësisht i pafajshëm”.

Ish-kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, deklaroi para trupit gjykues në Hagë se ndërgjegjja e tij është e pastër dhe se veprimet e tij kanë qenë njerëzore dhe ligjore. Ai shtoi se synimi i tij ka qenë kontributi për lirinë dhe drejtësinë, pa i bërë padrejtësi askujt: “Gjykata duhet me çdo kusht të mbrojë drejtësinë, të vërtetën dhe paanësinë. Kjo nuk është thjesht një detyrë ligjore, është kontributi i saj i madh dhe trashëgimia që do të mbetet prej kësaj gjykate. Ky është edhe shkaku pse iu bashkova atyre mijëra grave dhe burrave, që u rreshtuan në radhët e UÇK-së për lirinë e Kosovës”.

Ish-udhëheqësi i UÇK-së, Rexhep Selimi, në fjalën e tij përfundimtare tha se aktakuza ndaj tij është plotësisht e pabazuar dhe se asnjë nga pretendimet e Zyrës së Prokurorit të Specializuar nuk qëndrojnë.

Selimi shtoi se historia e Kosovës nuk mund të rishkruhet në sallë gjyqi dhe se është e padrejtë të thuhet se rezistenca e një populli ishte “plan kriminal”, pasi lufta çlirimtare ishte reagim ndaj dhunës dhe represionit serb: “Serbia kurrë nuk e fshihte qëllimin e saj ndaj shqiptarëve, prandaj pyes sërish: Çfarë duhej të bënim ne? Ta prisnim radhën për t’u vrarë? Apo të iknim nga vendi dhe shtëpitë tona? As njërën dhe as tjetrën. Prandaj duhej të rezistonim”.

Edhe ish-kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, kërkoi drejtësi në Hagë, duke thënë se akuzat ndaj tij dhe bashkëluftëtarëve bazohen në narrativa të atyre që shkaktuan luftëra në ish-Jugosllavi.

Ai theksoi se ky është viti i 16-të që kalon në burg, duke përfshirë edhe dënimet e mëparshme, pa u penduar për kontributin e tij dhënë për çlirimin e Kosovës: “Për më shumë se 5 vite besoj se më janë mohuar të drejtat e njeriut të garantuara nga Konventa Europiane për të Drejtat e Njeriut dhe Liritë Themelore, ndër to më e rëndësishmja është e drejta për të jetuar në liri veçanërisht e drejta e një njeriu në fazën e fundit të jetës së tij për të jetuar vitet e mbetura me dinjitet pranë familjes dhe në atdheun e lirë”.

Ndaj Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit rëndojnë mbi gjashtë akuza për krime të pretenduara kundër njerëzimit dhe katër akuza të tjera për krime të pretenduara lufte.

Trupi gjykues pritet të nxjerrë vendimin e shkallës së parë deri më 19 maj, ndërsa, nëse rrethanat e veçanta e kërkojnë, afati mund të shtyhet deri më 18 korrik.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos