Të martën iu dha lamtumira e fundit Haxhi Thaçit. I biri i tij, ish-presidenti Hashim Thaçi nuk mori pjesë, por një kurorë me lule nga Haga ishte e vetmja shenjë “e pranisë” së tij në ceremoninë e varrimit në Burojë të Skenderajt.
“Në spital të thashë lamtumirë, babë! Nga Haga të them, mirupafshim në parajsë”, shkruante në mesazhin e ish-presidentit Thaçi.
Në varrim morën pjesë qindra e mijëra qytetarë por nuk u pa asnjë zyrtar i lartë shtetërorë. Presidentja Vjosa Osmani, që gjendet në Berlin, kishte dërguar një kurorë lule dhe dy këshilltarë të saj.
Paraprakisht, u mbajtën homazhe dhe akademi përkujtimore në palestrën e sporteve të Skenderajt ku familja Thaçi priti ngushëllime për humbjen e familjarit.
“Fatkeqësisht babin nuk e lejuan të japë lamtumiren e fundit bashkë me ne sot, nuk e lejuan t'ia gjuajnë një grusht të dheut të Drenicës mbi varrë, por në vend të babit, sot ka ardhur Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Lugina. I madh dhe i përjetshëm do të jetë kujtimi ynë për ty gjysh”, tha i biri i Hashim Thaçit, Endriti.
Në akademi morën pjesë një delegacion i shtetit shqiptar si dhe përfaqësues politikë nga Maqedonia e Veriut.
“Përkujdesja prindërore, edukata patriotike, devocioni i këtij plaku që udhëhoqi gjithë jetën nga fryma e së drejtës dhe frymëzimi prej lirisë, i dhanë Kosovës një komandant e një luftëtar, një udhëheqës vizionar kryeministrin e parë dhe presidentin e pavarur të Kosovës”, tha kryeparlamentarja e Shqipërisë, Elisa Spiropali.
Vuajtjet e Haxhi Thaçit u tha se u bënë më të mëdha viteve të fundit kur i biri iu akuzua për krime të pretenduara të luftës.
“Baca Haxhi nuk ishte thjeshtë një baba, por një simbol i përkushtimit, një shtyllë e pathyeshme e familjes Thaçi. Ai ishte njeriu që përjetoi padrejtësinë më të madhe”, tha Bedri Hamza nga radhët e PDK.
Ish-presidenti Hashim Thaçi e takoi të atin për herë të fundit gjatë një vizite në spital të enjten e kaluar. (A2 Televizion)