Ashtu sikurse çdo vit, edhe këtë 17 Shkurt monumenti historik i shpalljes së pavarësisë së Kosovës, Newborn ka ndryshuar pamje.
Këtë vit, për shkak të aktualitetit, monumenti ka një dedikim për inteligjencën artificiale.
“Temë që është aktuale është inteligjenca artificiale edhe të pëlqeu apo jo, e deshte apo e urrente është bërë pjesë integrale, pjesë e pashmangshme e jetëve tona dhe tash po ia korrim ato benefitet, por mund te ketë rreziqe, askush s’e di, por është aktuale dhe ia kushtuam këtë temë, këtë aktualitet, Newborn sivjet”, shprehet Fisnik Ismaili, autor, Newborn.
U deshën katër ditë për të ndryshuar pamjen të gjithë monumentit 3 metra të lartë dhe me 22 metra gjatësi, shkruan A2 CNN.
“Për fat të mirë s’ke shumë ftohtë, hera e parë që po bie borë në ditë të pavarësisë. Ia kemi marr dorën, katër ditë na mori për ta ngjyrosur, në përgjithësi shkoi shumë mirë”, thotë Ismaili.
Newborn është në mbrojtje të shtetit të Kosovës ndërsa deri më tani ka përçuar dhjetëra mesazhe, nga flamujt e shteteve që kanë njohur pavarësinë e deri të kauzat si ngrohja globale e viktimat e dhunës seksuale. (A2 Televizion)