Tensionet dhe përplasjet fizike, veçanërisht në vitin e shpalljes së pavarësisë, kanë qenë shpesh kryefjalë në fshatin me shumicë shqiptare të Suhadollit, për të cilin ka pasur përpjekje për ta bërë pjesë të ndarjes kadastrale të Mitrovicës së Veriut.
Demarkimi në këtë zonë është përmendur të martën në Bruksel si kusht i Serbisë për hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër. Por përpjekja e Vuçiç për të ripërcaktuar kufijtë mes Mitrovicës së jugut dhe asaj të veriut, ka nxitur reagime të shumta në Kosovë, raporton A2.
Sipas ish-ministrit të Brendshëm Bejtush Gashi, kjo përpjekje e Serbisë për të kthyer çdo gjë në pikën zero, nuk duhet lejuar.
Sipas ish-ministrit të Brendshëm, duke i bërë fshatrat e Suhadollit dhe Kroit të Vitakut pika kontesti pala serbe synon mospranimin e marrëveshjes së arritur në 2016 mes dy delegacioneve, shkruan A2.
Sulmet e fundit në veri ndaj shtëpive të ndërtuara nga qeveria e Kosovës, për kthimin e shqiptareve, vlerësohet si përpjekje për krijimin e tensioneve të reja, të cilat në mënyrë indirekte krijojnë pasiguri të përgjithshme, sipas Gashit. (A2 Televizion)