“Nënë, kam diçka në bark, po më dhëmb shumë”. Ishte kjo fraza e fundit e thënë nga vogëlushi, Leotrim Ahmeti, i vrarë barbarisht nga forcat pushtuese serbe më 1 shtator të vitit 1998 me një granadë dore të hedhur në banesën e tij.
Mamaja e tij bëri gjithçka për ta mbajtur në jetë, por tashmë martiri është përjetësuar në bronz, me statujën e vendosur në Skënderaj, një rikujtesë për lirinë e fituar me shumë gjak të derdhur. Gjithashtu, një monument që përfaqëson çdo fëmijë të vrarë nga forcat kriminele serbe në luftën e Kosovës, vetëm sepse ishin shqiptarë.
Kryetari i komunës Skënderaj, Fadil Nura, tha se “kjo pjesë e sheshit të qytetit nga sot do të personifikohet nga dy figura që u bënë të njohura me historinë e tyre. Nga Adem Jashari që personifikon trimërinë dhe guximin e trimave të UÇK-së duke dhënë jetën në shërbim të lirisë së popullit shqiptar për liri dhe nga Leotrim Ahmeti që përfaqëson çdo viktimë të vrarë në luftën e Kosovës”.
Profesor Nusret Pllana, që bëri të njohur historinë e trishtë të martirit 7-vjeçar, përshëndeti të pranishmit me frazën e tij ikonike: Ju flet Kosova e lirë. “Qëndresa ishte buka dhe uji i çdo qytetari i kësaj treve heroike”, tha ai. Familjarët e vogëlushit kërkuan ndërtimin e një obelisk në përkujtim të të gjithë fëmijëve të vrarë nga forcat serbe. (A2 Televizion)