Për tri ditë me radhë në Prishtinë do të mbahet edicioni i 15-të i Javës e Albanologjisë në të cilën do të marrin pjesë 92 albanologë nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Bullgaria dhe Hungaria.
Në hapjen solemne, kryeministri Albin Kurti deklaroi se arritjet shkencore të albanologjisë u shfrytëzuan për të krijuar orientimin kombëtar dhe për të hedhur poshtë pretendimet joshkencore dhe propagandën raciste të shovinistëve fqinjë.
“Albanologjia tek shqiptarët lindi si një dije aktive e luftarake e lidhur ngushtë me ngritjen e vetëdijes kombëtare të popullit tonë. Ajo ishte pjesë e përpjekjes për të mbrojtur të drejtat dhe interesat kombëtare të shqiptarëve në Ballkan. Pra, mësoheshin për vetën që të mbroheshin më mirë”, tha Kurti, shkruan A2 CNN.
Java e Albanologjisë është organizuar sipas parimit që secila nga pesë degët e Institutit të Albanologjisë të organizojë nga një sesion shkencor.
“Besoj që tema bosht të sesioneve do të zgjojnë vëmendjen e albanologëve të pranishëm dhe të atyre që do të marrin në dorë kumtesat tona. Edhe në këtë edicion të 15-të që do të mbahet në tri ditët n vazhdim janë paraparë pesë sesione shkencore të ndara sipas disiplinave albnaologjike” , tha Lulëzim Laçi, nga Instituti Albanologjik.
Në këtë akitivitet u tha se bursat qeveritare bachelor dhe master për studentë që vijojnë programet Gjuhë shqipe dhe Letërsi shqipe në Fakultetin e Filologjisë kanë ndikuar në rritjen e numrit të aplikimeve në këto dy programe universitare. (A2 Televizion)