Për herë të parë pas 25 vitesh Posta e Kosovës do të operojë edhe në Mitrovicën e Veriut. Këtë të enjte në sheshin “Car Llazar” është hapur dega e parë e Postës së Kosovës, me ceremoninë që është fërshëllyer dhe kundërshtuar nga një grup tepër i vogël i serbëve lokalë, të udhëhequr nga subjekti politik Demokracia Serbe.
Pavarësisht kësaj proteste nga serbët situata ka qenë përgjithësisht e qetë, ndërsa nga Policia e Kosovës kanë qenë në gatishmëri për të ndalur incidentet e mundshme, shkruan A2.
Në ceremoninë e hapjes së kësaj dege të Postës së Kosovës morën pjesë zyrtarë të lartë të Qeverisë së Kosovës, si ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, dhe ai i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi.
Ministrja Rizvanolli tha se Posta e Kosovës synon të ofrojë shërbime postare për të gjithë, në të gjitha anët e Kosovës, dhe se pika e hapur është e nënta që hapet në veri të vendit, raporton A2.
Ndërkohë, ministri Kransiqi tha se kjo degë do të ofrojë shërbime postare dhe të Telekomit.
“Është shumë e rëndësishme që kjo zyrë është hapur sot këtu dhe qytetarët e Mitrovicës së Veriut tani kanë mundësinë të vizitojnë këtë degë dhe t'i kryejnë të gjitha shërbimet që ofron kjo degë”, u shpreh Krasniqi./ A2 CNN (A2 Televizion)