Propaganda ruso-serbe: Kosova dhe Polonia njësoj të rrezikuara

Nga Rosalba Bejdo
14 Mars 2025, 21:06 | Aktualitet

Si Kosova, ashtu edhe Polonia janë ndër shtetet më të ekspozuara ndaj dezinformatave ruse dhe serbe, që përbëjnë një kërcënim serioz dhe të vazhdueshëm. Kështu thotë për KosovaPress eksperti polak Jakub Sliz, themelues i organizatës për verifikimin e fakteve dhe edukatës mediatike. Sipas tij, Polonia, për shkak të afërsisë gjeografike me Rusinë dhe mbështetjes së saj të fortë për Ukrainën, është një cak i vazhdueshëm i propagandës ruse.

Nga ana tjetër, Kosova, për shkak të tensioneve me Serbinë, është vazhdimisht në shënjestër të fushatave dezinformuese që synojnë të dëmtojnë vendin në arenën ndërkombëtare. Eksperti polak thotë se Kosova dhe Polonia mund të bashkëpunojnë në luftimin e propagandës ruso-serbe. Russia Today, Telegram, por edhe aplikacioni WhatsApp, sipas Sliz, përdoren nga Rusia për përhapjen e lajmeve të rreme.

“Kosova dhe Polonia kanë mundësi bashkëpunimi në luftimin e dezinformatave ruso-serbe. Ka shumë ngjashmëri mes Kosovës dhe Polonisë, dhe mendoj se kemi mundësi për të bashkëpunuar, sepse ndajmë të njëjtën histori dhe të njëjtin armik,” thotë Sliz. “Jemi në presion të vazhdueshëm nga dezinformatat ruse. Problemi më i madh është se jemi nën presion të vazhdueshëm nga dezinformatat ruse dhe, nga ana tjetër, ekziston ky kërcënim i vazhdueshëm në kufijtë tanë.”

Ai tregon për KosovaPress edhe dallimet mes Polonisë dhe Kosovës në mënyrën e funksionimit të mediave, e që sipas tij, ndikon edhe në luftimin e dezinformimit.

“Në Kosovë janë ende me rëndësi mediat tradicionale. Ka shumë sfida të ngjashme, por teknikat ndryshojnë për shkak të faktit se në Ballkan konsumoni media në një mënyrë tjetër nga Polonia. Ne, për shembull, po orientohemi pak më shumë në mediat sociale. E di që mediat tradicionale janë ende një gjë shumë e madhe në Kosovë. Ekziston një dietë e ndryshme, por në fund të ditës, ushqimi nga i cili përbëhen gatimet e caktuara është i njëjtë. Nuk ka kaq shumë ndryshim nga këndvështrimi im.”

Serbia është akuzuar se ka ndërhyrë edhe në zgjedhjet e fundit parlamentare në Kosovë, të mbajtura më 9 shkurt. Në një konferencë për media, kryeministri në detyrë Albin Kurti ka thënë se “ka prova se Serbia ka ndërhyrë drejtpërdrejt në zgjedhje. Media ruse të tilla si RT Balkans dhe Sputnik Serbia, publikuan një sërë dezinformatash gjatë fushatës zgjedhore.” (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos