Pas dy kërkesave të dështuara, ish-presidenti Hashim Thaçi është lejuar të qëndrojë në Kosovë. Të enjten ai erdhi në Klinikën Interne aty ku po trajtohet i ati, i cili gjendet në gjendje të rëndë shëndetësore
Pas rreth 3 orë e gjysmë të qëndrimit të tij në Klinikën Interne, ish-presidenti Hashim Thaçi është larguar nga kompleksi i Qendrës Klinike Universitare të Kosovës nën shoqërimin e forcave të EULEX-it, shkruan A2 CNN.
Gjatë kohës së qëndrimit të tij kishte masa të shtuara të sigurisë, me forcat e EULEX-it dhe të Policisë së Kosovës që kishin siguruar perimetrin rreth klinikës. Dhomat e Specializuara konfirmuan se arsye për vizitën në Kosovë ishte gjendja shëndetësore e të atit të Hashimit.
“Për arsye humanitare bindëse, Trupi Gjykues dhe Gjykatësja e Procedurës Paraprake kanë udhëzuar Zyrën Administrative që të menaxhojë një vizitë nën mbikëqyrje në Kosovë të Hashim Thaçit për ta takuar babain e tij. Gjatë kësaj vizite nën mbikëqyrje, i akuzuari mbetet në paraburgim të Dhomave të Specializuara”, ishte reagimi nga Dhomat e Specializuara.
Pranë klinikës u mblodhën edhe qindra qytetarë që me brohoritje e përshëndeten nga larg ish-kryeministrin. Të pranishëm në oborrin e klinikës ishin edhe tre vëllezërit e Hashim Thaçit, Blerimi, Idrizi dhe Ganiu. Qytetarët e mbledhur u shprehën optimistë se Thaçi dhe të tjerët së shpejti do të fitojnë lirinë.
Hashim Thaçi akuzohet nga Dhomat e Specializuara për krime të pretenduara të luftës si dhe së fundmi ka një aktakuzë kundër administrimit të drejtësisë. Ai gjendet në paraburgim që nga nëntori i vitit 2020. (A2 Televizion)