Publikuan video me bluzën “Shqipëri Etnike”, arrestohen 4 shqiptarë në Serbi

Nga A2 CNN
25 Mars 2026, 12:50 | Aktualitet

Publikuan video me bluzën “Shqipëri Etnike”, arrestohen 4

Katër shtetas shqiptarë janë arrestuar në Serbi, pasi kishin publikuar një video në rrjetet sociale, teksa mbanin veshur bluzat “Shqipëri Etnike”. Autoritetet serbe bëjnë me dije se ndaj tyre rëndon akuza për “nxitje të urrejtjes dhe intolerancës kombëtare, racore dhe fetare”, një vepër penale e parashikuar në legjislacionin serb.

Sipas njoftimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, në pranga kanë rënë shtetasit me iniciale A. S. 37 vjeç, E. V. 42 vjeç, E. G. 48 vjeç dhe A. C. 18 vjeç, ndërsa akuzohen për veprën penale të nxitjes së urrejtjes kombëtare, racore dhe fetare.

Sipas Policisë serbe, A. S. ka publikuar në Facebook një video ku shfaqet duke udhëtuar me një automjet tip “Audi”, së bashku me tre të tjerët, në një autostradë në Serbi.

“Në pamje, ata shfaqin simbole të ‘Shqipërisë së Madhe’ dhe përdorin fjalor fyes ndaj Serbisë,” pretendojnë autoritetet serbe.

Ngjarja ka ndodhur në ditën e përkujtimit të fillimit të bombardimeve të NATO-s, çka, sipas autoriteteve, e rëndon edhe më tej situatën.

Të arrestuarit janë në arrest për 48 orë dhe pritet të dalin para Prokurorisë së Lartë në Beograd, në departamentin për krimet e teknologjisë së lartë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos