Trazirat e 17 dhe 18 marsit 2004 konsiderohen si episodi më i rëndë i pasluftës në Kosovë.
Ngjarjet u nxitën pas mbytjes së tre fëmijëve shqiptarë në lumin Ibër të cilin ishin ndjekur nga një grup serbësh. Rasti ishte cilësuar si vrasje, por që mbeti pa autorë të identifikuar nga UNMIK-u.
Ndërsa revolta qytetare u cilësua si dhunë ndaj pakicave duke harruar shkakun e nisjes së saj, në Kosovë ka dyshime për orientim të qëllimshëm të protestave dhe përfshirje të elementeve të shërbimeve sekrete serbe, shkruan A2.
Arben Fetoshi, nga instituti “Octopus”, shprehet: “Nëse i referohemi raporteve të ndryshme të pavarura, kemi të bëjmë me infiltrim të BIA, kemi të bëjmë me një numër të caktuar njerëzish të dyshimtë si kolaboracionistë të Serbisë që e kanë orientuar dhunën drejt pronave, objekteve fetare dhe monumenteve të tjera të trashëgimisë serbe”.
Ngjarjet e marsit sipas analizave të Institutit për Studime të Luftës Hibride “Octopus”, patën edhe pasoja politike. Sipas tyre, ndikimi u vë re në procesin e Vjenës dhe në vendosjen e mekanizmave si decentralizimi, mbrojtja e veçantë e objekteve fetare serbe, ulëse të rezervuara në institucione dhe vendimin që serbishtja të jetë gjuhë zyrtare në Kosovë.
“Kemi të bëjmë me një varg provizionesh që i kanë garantuar përfaqësim më të madh, të drejta më të mëdha dhe qasje shumë të privilegjuar komunitetit serb në Republikën e Kosovës krahasuar me komunitetet e tjera pakicë dhe mbi këtë bazë ne vlerësojmë që kemi të bëjmë me pasoja politike imediate që i kanë pasuar trazirat e 17-18 mars 2004”, tha Fetoshi.
Dy dekada më pas, Serbia vijon ta cilësojë marsin 2004 si “pogrom”, duke e përdorur këtë term në narrativën e saj zyrtare. Beogradi zyrtar vijon një propagandë agresive ndaj Kosovës duke shfrytëzuar këto ngjarje për qëllime të tjera.
“Në qoftë se i referohemi në vazhdimësi për çdo vit asaj që Serbia ka bërë në përvjetoret e këtyre trazirave, e shohim që është pjesë e strategjisë së saj të viktimizimit me qëllim të mobilizimit të komunitetit serb brenda Kosovës dhe me qëllim të përpjekjeve të saj që në planin ndërkombëtar ta sabotojë edhe më tutje konsolidimin e Kosovës si shtet”, shprehet Fetoshi.
Si pasojë e atyre ngjarjeve, u vranë 19 civilë, nga të cilët 11 shqiptarë dhe 8 serbë ndërsa u plagosën qindra të tjerë, kryesisht shqiptarë. (A2 Televizion)