Kuvendi i Kosovës miratoi rezolutën në mbështetje të drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të cilët po gjykohen në Gjykatën Speciale.
90 deputetë votuan pro kësaj rezolute, ndërsa pati edhe një votë kundër nga deputeti Fatos Geci i Lëvizjes Vetëvendosje.
Përmes rezolutës, Kuvendi shpreh besim të plotë në vlerat e UÇK-së, duke e cilësuar atë pjesë të historisë mbi të cilën është ndërtuar Republika e Kosovës, si dhe nderon sakrificat për liri dhe pavarësi, të theksuara edhe në preambulën e Deklaratës së Pavarësisë.
“Kërkon nga Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar që, në ushtrimin e funksioneve të tyre, të sigurojnë zbatimin me përpikëri të ligjeve dhe Kushtetutës së Kosovës, që përmban standardet më të mira ndërkombëtare, lidhur me një proces gjyqësor të drejtë dhe të paanshëm”, u shpreh Përparim Gruda, PDK.
Kuvendi i bën thirrje Avokatit të Popullit të Dhomave të Specializuara që të ushtrojë funksionin me pavarësi dhe paanësi të plotë, ndërsa nga shtetet financuese dhe mbështetëse të Gjykatës në Hagë kërkon që të respektojnë marrëveshjen me Kosovën, sipas së cilës kjo gjykatë operon mbi bazën e ligjeve dhe Kushtetutës së vendit, shkruan A2 CNN.
“Kërkon nga Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar që, në ushtrimin e funksioneve të tyre, të sigurojnë zbatimin me përpikëri të standardeve kushtetuese dhe ndërkombëtare lidhur me mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit, Rexhep Selimit dhe të tjerëve”.
Lidhja Demokratike e Kosovës para votimit kërkoi që të shtohet një tjetër pikë në rezolutë.
“Kjo Rezolutë kërkon nga të gjitha institucionet e rendit dhe ligjit të Republikës së Kosovës si dhe i inkurajon mbështetjen ndërkombëtare për intensifikimin e përpjekjeve drejt zbardhjes së plotë të të gjitha vrasjeve të pazbuluara të ndodhura gjatë dhe pas periudhës së luftës në Kosovë me qëllim që të sigurohet drejtësia për të gjitha viktimat, të zbardhet e vërteta dhe të fuqizohet shteti i së drejtës mbi parimet e paanësisë dhe barazisë para ligjit”, tha Jehona Lushaku Sadriu, LDK.
Partia Demokratike, si propozuese e rezoltës, kërkoi që të mos ndërhyhet në tekst meqë ishte përpiluar nga profesorë dhe ekspertë.
“Ky është një tekst i sjellë nga një grup i profesorëve nga 300 anëtarë që është deponuar si peticion në Kuvendin e Kosovës dhe nuk është një tekst i hartuar nga partitë, vetëm ka pasur një dakordim e ajo që rezoluta synon të bëjë është të kërkojë për atë çka ka votuar Kuvendi i Kosovës të ketë një gjykatë që zbaton standarde europiane dhe kushtetutën e Kosovës”, tha Gruda.
Meqë kërkesa e saj nuk u mor parasysh, Lidhja Demokratike nuk mori pjesë në votim.
Lista Serbe gjithashtu nuk mori pjesë në votim pasi doli nga salla para se të lexohet rezoluta dhe u kthye vetëm pasi ishte votuar ajo. (A2 Televizion)
Rezoluta e Kuvendit të Kosovës, Speciales i kërkohet respektimi i Kushtetutës së Kosovës