Ministria e Punëve të Jashtme (MPJD) u ka bërë apel qytetarëve që të evitojnë me çdo kusht kalimin nëpër Serbi, pasi qindra kosovarë kanë mbetur të bllokuar në pikëkalimin me Kroacinë që nga orët e vona të së martës.
Qindra kosovarëve u janë marrë dokumentet dhe janë bllokuar në pikë kalimin Batrovci, Serbi – Kroaci. Fatmir Haxholli nga Zyra ndërlidhëse e Kosovës në Serbi ka thënë se kjo po bëhet në hakmarrje të votimit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, që i hapi rrugë anëtarësimit të Kosovës në këtë organizatë.
Nëpërmjet një reagimi në Facebook të mërkurën, MPJD-ja e konsideron arbitrare bllokimin e kosovarëve në zonën neutrale mes Serbisë dhe Kroacisë.
"Bashkatdhetarët dhe qytetarët që janë në lëvizje të evitojnë me çdo kusht kalimin nëpër Serbi. MPJD dhe MPB janë duke ndërmarrë veprimet e nevojshme dhe do t’iu mbajnë të informuar rreth detajeve të reja. Të gjithë udhëtarët luten që të ndjekin me vëmendje situatën e tensionuar të sigurisë dhe të mos udhëtojnë përmes Serbisë”, thuhet në reagim. (A2 Televizion)