Shtyhet anëtarësimi i Kosovës në KiE? Mediat kosovare publikojnë agjendën e mbledhjes

Nga A2 CNN
7 Maj 2024, 18:36 | Aktualitet

Shtyhet anëtarësimi i Kosovës në KiE? Mediat kosovare

Anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Europës me shumë gjasa nuk do të ndodhë në mbledhjen e radhës së Komitetit të Ministrave që do të mbahet më 17 maj.

Mediat në Kosovë kanë kërkuar informacion për agjendën e takimit dhe citojnë zyrtaren për informim në Këshillin e Evropës, Estelle Steiner, e cila konfirmon se aplikimi i Kosovës nuk do të figurojë në diskutimet e radhës të këtij komiteti.

Sipas agjendës, ministrat e Punëve të Jashtme të 46 vendeve anëtare të Këshillit të Evropës do të mbajnë sesionin e tyre vjetor më 17 maj 2024, në kuadër të  75-vjetorit të Organizatës.

Agjenda do të përfshijë masat që Këshilli i Evropës po vazhdon të marrë në përgjigje të agresionit të plotë të Federatës Ruse kundër Ukrainës, zbatimin e Deklaratës së Rejkjavikut dhe miratimin e një Konvente Kuadër për Inteligjencën Artificiale, të Drejtat e Njeriut, Demokracinë dhe Shtetin e Ligjit.

Sipas agjendës, ministrat do të shqyrtojnë punën e Organizatës në fusha të tilla si të drejtat e njeriut, duke përfshirë të drejtat sociale dhe të drejtat e fëmijëve, demokracinë, sundimin e ligjit, luftën kundër dënimit me vdekje, arsimin dhe kulturën, pjesëmarrjen e shoqërisë civile dhe të rinjve, të drejtat e njeriut në epokën digjitale, migrimin dhe trafikimin e qenieve njerëzore, mbrojtjen e gazetarëve dhe masat për të luftuar dezinformimin, antidiskriminimin dhe përfshirjen, barazinë gjinore dhe mjedisin.

Në fund të seancës ministrore, Lihtenshtajni do t’i dorëzojë Lituanisë presidencën e Komitetit të Ministrave, teksa Kosova nuk është në asnjë pikë.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos