
Mbrojtja e Rexhep Selimit do të vazhdojë edhe gjatë ditës së sotme paraqitjen e deklaratës përmbyllëse në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.
Avokati i tij, Geoffrey Roberts, deklaroi dje se klienti i tij është i pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës. Sipas tij, Zyra e Prokurorit të Specializuar nuk ka ofruar asnjë dëshmi që Selimi ka shkruar komunikata apo që mund t’i atribuohen atij përgjegjësi të tilla.
Duke folur për pretendimet mbi “ndërmarrjen e përbashkët kriminale”, ai theksoi se një strukturë e tillë nuk ka ekzistuar. Roberts shtoi se Prokuroria nuk mund të japë përgjigje të qartë as për pretendime që lidhen me figura të tjera të luftës.
Pas përfundimit të mbrojtjes së Selimit, radha do t’i takojë mbrojtjes së Jakup Krasniqi. Të mërkurën, edhe Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Krasniqi dhe Selimi pritet t’i drejtohen për herë të fundit trupit gjykues.

Kjo është dita e pestë e deklaratave përmbyllëse, që nisën me parashtrimet e kryeprokurores Kimberly West, e cila ka kërkuar dënim me 45 vjet burg për katër ish-krerët e UÇK-së.
Ndërkohë, Kuvendi i Kosovës ka miratuar një rezolutë që kërkon gjykim të drejtë në Hagë. Procesi gjyqësor ka nisur më 3 prill 2023.
Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, po përballen me akuza të ngritura nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, të cilat ata i kanë cilësuar si të pabazuara. Edhe mbrojtja i ka hedhur poshtë këto akuza dhe ka argumentuar se UÇK-ja nuk kishte strukturë të organizuar komanduese.
Gjykimi ndaj tyre ka nisur më 3 prill 2023, gati 3 vjet pas konfirmimit të aktakuzës, prej kur ish-krerët e UÇK-së mbahen në qendrën e paraburgimit në Hagë.
(A2 Televizion)