Tradita 78-vjeçare vazhdon, guximtarët hidhen nga “Ura e Fshajt”

Nga A2 CNN
2 Gusht 2026, 19:03 | Aktualitet

Tradita 78-vjeçare e kërcimeve nga “Ura e Fshajt” vazhdon të mbledhë garues dhe shikues duke e shndërruar këtë ngjarje në një prej manifestimeve më të veçanta sportive verore në rajon. Edhe këtë vit ku dhjetëra garues sfiduan lartësinë mbi lumin Drini i Bardhë, në një garë që ndërthur guximin, traditën dhe adrenalinën.

Vendin e parë në kërcim nga “Ura e Fshajt” në disiplinën dallëndyshe e zuri Florim Gashi, vendin e dytë Shkëlzen Goqi, ndërsa vendin e tretë Albion Gashi dhe Bledar Morina.

Njëri nga organizatorët dhe garuesit, i dyti sot në disiplinën “Dallëndyshe”, Shkëlzen Goqi, thotë se tradita ka arritur vitin e 78-të dhe vazhdon të ruhet falë përkushtimit të brezave, ndërsa këtë vit pjesë e garës ishin edhe garues nga Bosnja Hercegovina.

“Ky është viti i 78-të i garave. Brez pas brezi e mbajmë këtë trashëgimi, e organizojmë dhe kemi pjesëmarrës të mirë. Sivjet na kanë nderuar garuesit që vijnë nga Bosnja e Hercegovina. Tradita vazhdon si çdo herë”, tregon ai për KosovaPress, transmeton A2 CNN.

Goqi flet edhe për emocionet që sjell ky sport ekstrem, duke vënë në pah se përtej adrenalinës siguria mbetet prioritet. “Është ndjenjë shumë e mirë, adrenalinë e madhe. Është kënaqësi, sikur të fluturosh. Duhet me pas guxim, është sport ekstrem. Ne nënshkruajmë para se me kërcy dhe kontrollohemi prej mjekut para kërcimit”.

Garat u zhvilluan në tri disiplina: kërcim nga pedana, kërcim me këmbë nga ura dhe kërcim në stilin dallëndyshe me rreth 20 garues. Kërcimet realizohen nga rreth 20 metra lartësi, ndërsa thellësia e lumit është rreth 6 metra. Gjatë gjithë garës kanë qenë të pranishëm zhytës dhe ekipet mjekësore për sigurinë e garuesve.

Fituesi në kërcimet nga ura me këmbë, Gent Krasniqi, thotë se adrenalina dhe frika janë pjesë e pandashme e këtij sporti. “Është ajo adrenalina, pak edhe frika, sepse është sport i rrezikshëm. Ka të bëjë shumë me frymëmarrjen, sepse një lëvizje e vogël mund të kushtojë jetën”, tregon ai.

Tradita e kërcimeve nga “Ura e Fshajt” vazhdon të mbetet një nga simbolet më të veçanta sportive dhe kulturore të Gjakovës. Përveçse promovon sportin ekstrem, ai ruan një kulturë që ka kaluar nga brezi në brez për gati tetë dekada, duke mbledhur çdo verë garues e adhurues të këtij sporti nga mbarë trojet shqiptare dhe rajoni.

Në një kohë kur shumë tradita rrezikojnë të zbehen, kërcimet nga “Ura e Fshajt” vazhdojnë të dëshmojnë se guximi, pasioni dhe përkushtimi mund ta mbajnë gjallë një trashëgimi unike./KosovaPress/ (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos