Qytetarët duan që ura të hapet për automjetet madje thonë se nuk ka asnjë arsye pse duhet të ketë tensione.
Ura vlerësohet të jetë e qëndrueshme për qarkullim edhe për faktin se ka mbi çerekshekulli që është mbyllur për automjete. Edhe në aspektin e lidhjes së qytetit shihet si arterie kryesore për lëvizjen e makinave.
“Nëse e shohim hartën dhe zhvillimin e qytetit të Mitrovicës, ura e Ibrit është arterie kryesore që lidh dy anët e qytetit në aspektin e qarkullimit. Nuk e di pse po politizohet”, shprehet eksperti Baxhuku.
Qeveria këmbëngul se ura do të hapet por nuk ka një datë se kur do të ndodhë.
“Kur hapet ura unë nuk e di, por unë mund ta prezantoj raportin sepse detyra ime ka qenë që ta implementojmë një kontratë, e cila ka të bëjë me përcaktimin e stabilitetit të urës mbi lumin Ibër”, tha zv.ministri Durmishi.
Ndërkombëtarët në krye me Shtetet e Bashkuara vijojnë të kundërshtojnë hapjen e urës me arsyetimin se mund të nxisë tensione të reja në veri. (A2 Televizion)