SHBA kundër Kurtit, Hovenier: Hapja e urës mbi Ibër rrezikon ushtarët amerikanë

Nga Erjon Dervishi
13 Gusht 2024, 18:02 | Aktualitet

Hapja e Urës së Ibrit mund të ketë një rrezik real, ajo mund të ndikojë në sigurinë e ushtarëve të NATO-s, përfshirë edhe ata amerikanë. Është ky paralajmërimi që bën Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier.

Në një intervistë për Radio Europa e Lirë, Hovenier vuri në dukje se këtë çështje e marrin shumë seriozisht dhe i bën thirrje qeverisë së Kosovës që të marrë parasysh këto shqetësime. 

“Ne besojmë se ky rrezik rrit kërcënimin, mundësinë e dhunës dhe problemet e tjera, si për komunitetin lokal, ashtu edhe për ushtarët e NATO-s, përfshirë ushtarët amerikanë që po punojnë për të siguruar paqen dhe sigurinë në Kosovë. Ne e marrim shumë seriozisht çdo veprim që mund të ndikojë në sigurinë dhe mbrojtjen e ushtarëve amerikanë që punojnë për të mbështetur Kosovën. Shpresa jonë është që Qeveria do ta dëgjojë këtë dhe do t'i marrë parasysh këto shqetësime”.

Hovenier tha se SHBA-ja është sfiduar nga kryeministri Albin Kurti dhe Qeveria e tij në disa aspekte.

"Duhet të them se cilësia e partneritetit tonë nuk është ajo që do të shpresonim të ishte në disa nga këto çështje që lidhen me mënyrën se si ai trajton veriun dhe si ai e menaxhon dialogun".

Ai shtoi se veprimet e pakoordinuara të Qeverisë në veri e zvogëlojnë entuziazmin e SHBA-së për të mbështetur Kosovën në rrugën e saj euroatlantike. Hovenier vuri në dukje se SHBA është sfiduar nga qëndrimet e Albin Kurtit.

Nuk mund të flas se si na konsideron ai. Mund të them vetëm se nga këndvështrimi i Qeverisë së Shteteve të Bashkuara, jemi sfiduar nga kryeministri dhe Qeveria e tij në disa mënyra”.

Qeveria e Kosovës ka thënë se synon të hapë për qarkullim të automjeteve urën mbi Ibër, që ndan Mitrovicën e Jugut me shumicë shqiptare dhe atë të Veriut me shumicë serbe. Me gjithë kundërshtimin e vendeve të QUINT-it dhe NATO-s, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se ura duhet të hapet dhe se “nuk është kundër askujt”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos