Gazetarja e lajmeve ndërkombëtare në A2CNN Rosalba Bejdo në një raportim nga “Prishtina” për emisionin “Dita Jonë” në A2CNN analizoi rezultatin e zgjedhjeve të 7 qershorit në Kosovë. Bejdo vë në dukje se Albin Kurti këtë herë nuk do të arrijë të formojë i vetëm qeverinë dhe do të ketë nevojë për koalicion me një nga dy partitë e opozitës, LDK ose PDK.
“Z.Kurti këtë herë nuk do të arrijë të bëjë i vetëm qeverinë dhe do të ketë nevojë që të bashkëpunojë me partitë politike dhe ndoshta të këtë një qeveri koalicioni. Eksperienca dhe historiku ka treguar se pjesa më e vështirë vjen tani, sepse klasa politike ka qenë kokëfortë në qëndrimet e veta dhe nuk ka lëshuar pe në qëndrimin e vet. Në fjalimin e fitores z.Kurti në mesazhin e tij ka folur për një fitore të madhe, edhe pse fitorja s’ka qenë ajo e zgjedhjeve të 28 dhjetorit. Në këto fushatë z.Kurti ka qenë më i kujdesshëm dhe i përmbajtur në gjuhën për krerët e opozitës, duke sinjalizuar se dera e kompromisit edhe mund të jetë e hapur. Ditën e djeshme në fjalimin e fitores z.Kurti ka bërë ftesë për bashkëpunim. Mbetet për t’u parë cilat do jenë kushtet e këtyre partive për bashkëpunim. Mbetet për t’u parë nëse do ketë kompromis edhe për Presidentin ku duhet një bashkëpunim më i gjerë se dy parti”, thuhet në raportim. (A2 Televizion)