A është në përputhje me Kushtetutën? Hovenier i habitur me kritikat për Asociacionin: Çojeni në “Kushtetuese”

Nga A2 CNN
13 Dhjetor 2023, 12:35 | Politikë

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier ka vënë theksin se Kosova duhet të krijojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe, pasi sipas tij kjo është e vetmja mënyrë që vendi të shohë përpara. Sa i përket dyshimeve të ngritura nëse ky draft është në përputhje me Kushtetutën, Hovenier tha se ka një trup gjykuese, referuar Gjykatës Kushtetuese, që ka të drejtën të thotë fjalën e fundit.

“Mendoj se fokusi duhet të jetë se si mund të ecë Kosova përpara, duke e adoptuar këtë draft, nëse ka pyetje rreth kushtetutshmërisë, siç e kam thënë edhe më herët, po e them sërish, ekziston vetëm një trup që mund të vendosë se çfarë është në përputhje me Kushtetutën”, ka thënë Hovenier, duke e përmendur se vetëm Gjykata Kushtetuese mund të vendosë për kushtetutshmërinë e drafit të propozuar", u shpreh diplomati amerikan.

Hovenier është pyetur edhe nëse mund të ndryshojë drafti i propozuar, ndonëse ai ka thënë se dokumenti në fjalë reflekton qëndrimin e Perëndimit.

“Kjo është pyetje për [të dërguarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav] Lajçakun, mendoj se ai i ka thënë Qeverisë së Kosovës dhe të tjerëve se është i hapur për komente. Mirëpo ekipi i Lajçakut, me mbështetje të SHBA-së, kanë punuar nga afër në këtë draft, për të garantuar se i përmbush të gjitha kushtet që i përmenda. A ka vend për përmirësime? Ndoshta. Por, nuk duhet humbur kohë në specifika për të humbur momentumin, për të ecur përpara me Asociacionin”, u shpreh ai.

Draft-statuti për Asociacionin u është prezantuar Prishtinës dhe Beogradit në tetor. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, kanë thënë se për ta është i pranueshëm, mirëpo deri më tani nuk është hedhur asnjë hap konkret.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos