Drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën, Petar Petkoviç, njoftoi se duke filluar nga vjeshta, afro 5 mijë serbë në Kosovë do të marrin 20 mijë dinarë në muaj si ndihmë nga shteti i Serbisë. Në prononcimin e tij për mediat në Beograd, Petkoviç tha se kjo ndihmë vjen si pasojë e cënueshmërisë së tyre sociale.
"Përveç ndihmës që u japim njerëzve tanë në fillim të vitit, dhe vëmendjes së veçantë ndaj më të cenueshmëve socialë, dhe ndarjes së 20,000 dinarëve për 5,000 persona çdo muaj, ne po prezantojmë një masë tjetër të tillë duke filluar nga vjeshta. Do të ofrojmë një ndihmë mujore prej 20,000 dinarësh për 5,000 persona të tjerë në Kosovë dhe Metohi", tha Petar Petkoviç.
Petkoviç thekson se nuk do të ketë asnjë serb në Kosovë që nuk ka të ardhura nga shteti i tij. Pa dhënë fakte apo prova, Petkoviç flet për terrorin e shtetit të Kosovës ndaj pakicës serbe në veri. Ai përdori edhe një gjuhë vulgare kundër faktorit ndërkombëtar.
"Kjo tregon se ne kujdesemi për popullin tonë. Dhe mesazhi im për ta është të jenë të duruar, të durojnë sepse ky terror nuk do të zgjasë përgjithmonë. Kjo tirani e Albin Kurtit ka një fund dhe me një politikë të qetë dhe të mençur dhe me durim të mjaftueshëm nga ana jonë dhe një reagim vendimtar ndaj Brukselit dhe Perëndimit, dhe qelbësve të tjerë, do të përpiqemi të dalim nga kjo", shtoi Petar Petkoviç.
Petkoviç shtoi se për të arrestimit të asistentit të tij Igor Popoviç, nuk mund të flasë më shumë, por vuri në dukje se fondet e Serbisë për pakicën në Kosovë janë më të mëdha gjatë kohës së Aleksandër Vuçiç. (A2 Televizion)