Kuvendi i bllokuar, kushtetuta e paqartë, kryparlamentari që nuk zgjidhet dhe e drejta që nuk mbaron

Nga Ideal Gola
1 Maj 2025, 20:09 | Kosova

Në mungesë të një shumice të nevojshme parlamentare dhe me propozime të përsëritura që nuk arrijnë të sigurojnë mbështetjen e nevojshme prej 61 votash për zgjedhjen e kreut të Kuvendit, shihet e domosdoshme një interpretim të situatës nga Gjykata Kushtetuese.

Partitë duket se kanë “zbuluar” një mundësi për të zvarritur votimin e Qeverisë e cila ka afate të qarta duke shtyrë konstituimin e Kuvendit të Kosovës, që nuk ka afate kohore të përcaktuara as në Kushtetutë dhe as në rregullore.

“Duke marr parasysh se i kemi disa zbrazëti dhe anomali në Kushtetutë sa i përket të drejtës a është e pakufishme e drejta e propozimit të grupit të parë parlamentar, a mundet i njëjti kandidat vazhdimisht të propozohet edhe pse dëshmon më shumë se 3-4 herë të emërohet dhe të zgjidhet kryetar i Kuvendit dhe çfarë ndodhë nëse nuk krijohet një shumicë parlamentare nga grupi më i madh parlamentar që të propozojë dhe ta ketë të sigurt votën e 61 deputetëve”, tha për A2 CNN, Vullnet Bugaqku nga KDI.

Sipas nenit 113 të Kushtetutës, një grup prej së paku 10 deputetësh mund t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për të kërkuar interpretim mbi procedurat dhe vendimmarrjet e Kuvendit, përfshirë edhe ato kur vendimi nuk merret – siç është rasti me moszgjedhjen e kreut të Kuvendit.

Gjykata Kushtetuese nuk shkruan norma të reja, por mund të interpretojë qartë nëse një e drejtë është konsumuar, duke i dhënë mundësi një grupi tjetër parlamentar që garanton se ka 61 vota.

“Mund ta modifikojë çështjen e së drejtës së propozimit dhe mund të thotë që nëse eventualisht gjendja faktike reale në Parlament është si pasojë e një mungese të një shumice parlamentare dhe për më teper se 3 herë është propozuar një kandidaturë e cila nuk ka marr shumicën e nevojshme të deputetëve atëherë gjykata mund të theksojë që ky aspekt i së drejtës i së propozimit është aspekt i shterur tashmë”, shtoi Bugaqku.

Aktualisht propozimi për kryeparlamentar i takon ekskluzivisht partisë me numrin më të madh të deputetëve.

Në rastin e zgjedhjes së Qeverisë partia fituese gëzon këtë të drejtë vetëm një herë brenda 15 ditësh por në rast se nuk i ka 61 vota atëherë kjo e drejtë i kalon atij që garanton se i ka votat. 

“Gjykata duhet të sqarojë që aspekti i propozimit nuk është absolut, nuk është i pakufishëm dhe nuk është asesi e drejtë të themi ashtu që nuk konsumohet në asnjë formë, pra sepse kjo pastaj nxjerr atë logjikën e bllokimit”, nënvizoi ai.

Zgjedhjet parlamentare u mbajtën më 9 shkurt, ndërsa certifikimi i rezultateve u bë më 27 mars.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos