Kosova mbetet pa kuvend e qeveri, dështon përpjekja e 47, Haxhiu: Ka vullnet për bashkëpunim me Nismën

Nga A2 CNN
15 Korrik 2025, 15:00 | Kosova

Kosova mbetet pa kuvend e qeveri, dështon përpjekja e 47, Haxhiu: Ka

Kuvendi i Kosovës u mblodh për herë të 47 për të konstituuar legjislaturën e re të dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit, por edhe kjo përpjekje përfundoi pa rezultat, si ato të tjerat paraardhëse.

Kërkesa e Vetëvendosjes për të formuar komisionin për votimin e fshehtë të kryeparlamentarit sërish nuk mori mbështetjen e partive të tjera politike. Seanca u ndërpre dhe vazhdimi i saj do të bëhet më 17 korrik në orën 11:00.

Kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari sërish ftoi partitë politike për të propozuar emrat e kandidatëve për Komisionin Ad-hoc për votim të fshehtë, por përfaqësuesit e partive të tjera nuk propozuan emrat, dhe kërkuan që kryesuesi t’i kthehet rendit të ditës së dakorduar për votim të hapur të zgjedhjes kryetarit të Kuvendit.

Deputetja e PDK, Eliza Hoxha përsëriti akuzat për shkelje të kushtetutës, dhe pasi u ndërpre nga kryesuesi Dehari, e përcolli mesazhin e saj me pankarta.

Ndërkohë kandidatja e kësaj partie për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu, tha se ka vullnet për bashkëpunim me Nisma Socialdemokrate.

"Kryetari jonë, kryeministri Albin Kurti do të ketë takim me kryetarin Limaj. E kemi bërë të qartë që kemi vullnet nga të dyja palët që të vazhdojmë bashkëpunimin, por që ende nuk ka asgjë konkrete. Nuk besoj që do të ketë qëndrim as sot. I kemi përcjellë qëndrimet e opozitës, nuk është se ata kanë ndryshuar, dhe sot, kushdo që vjen në seancë, do të votojë sipas përgjegjësive të tyre kushtetuese dhe sipas asaj që thuhet në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese. Nuk besoj që do të ketë ndryshim të situatës, fatkeqësisht”, tha Haxhiu. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos