Funksiononin pa leje shitjeje, mbyllen edhe dy pika karburanti të “Nis Petrol” në Veri

Nga Ideal Gola
22 Korrik 2024, 20:30 | Ekonomi

Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut gjatë së hënës mbylli përkohësisht dy pika karburanti në veri të Kosovës. Njëra ishte në Zveçan ndërsa tjetra në Leposaviq.

Deri te ky vendim erdhi pasi u konstatua se këto dy pika karburanti operonin pa leje të shitjes me pakicë të derivateve të naftës.

“Të gjitha subjektet që merren me tregtinë e produkteve të naftës dhe të karburanteve të ripërtërishme, duhet të pajisen me leje të vlefshme nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, për zhvillimin e veprimtarisë së tyre brenda territorit të Republikës së Kosovës. Ndaj atyre që operojnë në kundërshtim me ligjin, do të merren masa ndëshkuese strikte sipas legjislacionit në fuqi”.

Javën e kaluar, me arsyetim të njëjtë, u mbyllën edhe tri pika të tjera karburanti, një në Mitrovicë të Veriut ndërsa dy të tjera në Zubin Potok. Që të pesë pikat e karburantit kishin logon “NIS Petrol” që është nën pronësi të Gazpromit rus.

Aksioni i së hënës në veri ishte mbështeture dhe nga Policia e Kosovës, Doganën, Administratën Tatimore dhe Agjencinë Kosovare të Privatizimit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos