Kosova ka vendosur që të bëhet një shtet kontribuues në Bankën Botërore, duke lënë pas statusin si përfitues. Kështu qeveria e Prishtinës dëshiron që të ndihmojë vendet më të varfra të botës. Zëvendëspresidenti i Bankës Botërore për Financimin e Zhvillimit, Akihiko Nishio, e vlerësoi këtë vendim të Kosovës duke e cilësuar si një moment historik dhe një dëshmi e qëndrueshmërisë së saj në skenën ndërkombëtare.
“Një moment me rëndësi të thellë, jo vetëm për Kosovën dhe Bankën Botërore, por edhe për komunitetin global. Sot, Kosova zë vendin e saj si donatore në IDA-21, duke përmbyllur kështu një cikël të plotë në rrugëtimin e saj të zhvillimit. Dhe kjo është arsyeja pse kam ardhur këtu në Prishtinë, për të festuar këtë moment dhe për ta ndarë atë me ju, si dhe për t’ia bërë të ditur botës se Kosova ka marrë këtë vendim shumë të guximshëm, i cili do të ndihmojë vendet më të varfra në botë. Pavarësisht se ka përjetuar plagët e luftës nga viti 1998 deri në 1999 dhe se ka dalë si një nga ekonomitë më të cenueshme të Evropës, vendimi i Kosovës për të kontribuar në IDA-21 mishëron një qëndrueshmëri të jashtëzakonshme. Ky hap shkon përtej thjesht simbolikës” , shprehet Nishio.
Në anën tjetër, ministri Hekuran Murati ka vlerësuar bashkëpunimin që ka vendi me Bankën Botërore.
“Sa i përket marrëveshjeve ndërkombëtare është mbështetësi me vëllimin më të madh që kemi aktualisht. Kontratat deri më tani të nënshkruara dhe të ratifikuara janë 376 milionë euro, ndërkaq mbështetja që është disbursuar është 289 milionë euro deri më tani. Përveç kësaj kemi edhe marrëveshje tjera që janë në vijim, që janë të nënshkruara apo priten të nënshkruhen siç janë, marrëveshja për mbështetjen e tregtisë dhe transportit që do të mbështesë korridoret e gjelbra, lehtësimin e transportit e kësisoj shpresoj edhe lehtësimin e eksportit dhe rritjen e vazhdueshme të eksportit”, shpjegon ministri.
Ndër të tjera përmendi dhe projektin për mbështetjen e sektorit të shëndetësisë që është nënshkruar vitin e kaluar, por që duhet të ratifikohet në kuvend. (A2 Televizion)